Kosovë

Kosovë

Pacolli: Pas lirisë, Kosova ka sfidë anëtarësimin në NATO

Publikuar më 14 Nëntor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, iu adresua sot të pranishmëve në konferencën "NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë", e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së ?Kosovës në partneritet me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.

Pasi përshëndeti autoritetet vendore e ndërkombëtare dhe pjesëmarrësit e tjerë të konferencës, ministri Pacolli rikujtoi se "Kosova nuk e ka harruar të kaluarën, por sot duhet të përqendrohemi në të ardhmen dhe të shohim se si mund ta sfidojmë të arriturën e re ... Dhe kjo sfidë, për Kosovën është të jetë shteti anëtar i radhës i NATO-s".

Ndër të tjera ai tha se "Kosova dëshiron të jetë jo vetëm konsumues, por edhe kontribuues i sigurisë dhe i paqes".

Ai shprehi një mirëseardhje të veçantë për mysafirët, për zyrtarët e NATO-s dhe shumë ekspertë dhe kontribues nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

"... Ju na keni premtuar se gjithçka do të jetë mirë dhe njerëzit e Kosovës do të kthehen në shtëpitë e tyre.

Tani Kosova është e lirë, populli i Kosovës është kthyer në shtëpitë e tyre dhe ne po ndërtojmë, së bashku me ju, të ardhmen tonë", tha ministri Pacolli.

Siç e shihni, shtoi ai, Kosova nuk e ka harruar të kaluarën. Faleminderit miq të dashur. Por, sot duhet të përqendrohemi në të ardhmen dhe të shohim se si mund ta sfidojmë të arriturën e re ... Dhe kjo sfidë, për Kosovën është të jetë shteti anëtar i radhës i NATO-s.

Faleminderit që erdhët në Prishtinë! Ju uroj një qëndrim të mrekullueshëm dhe shumë sukses për këtë konferencë. Kontributi juaj për suksesin e kësaj konference është shumë i madh.

  • Është kënaqësi për mua që mund të shprehi mirëseardhjet e mia për të gjithë të ftuarit dhe kontribuesit e kësaj konference.
  • Rajoni dikur i prekur nga lufta, sot konsumuesi i të mirave të paqes.
  • Kosova dëshiron të jetë jo vetëm konsumues, por edhe kontribuues i sigurisë dhe i paqes.
  • Jetojmë në një rajon që i përket NATO-s.
  • Anëtarësimet e deritanishme të Malit të Zi këtë vit, e Shqipërisë dhe Kroacisë para 8 viteve, kanë krijuar një rajon të sigurt.
  • Jetësimi i anëtarësimit të Maqedonisë dhe fillimi i negociatave me Kosovën do t'i kontribuojë paqes.
  • Prania e KFOR-it e domosdoshme, por fillimi i negociatave për anëtarësim në NATO është i domosdoshëm.
  • Kosova multietnike - në NATO-n shumëkombëshe.
  • Në Kosovë flamujt e NATO-s - duam që në NATO të valojë flamuri i Kosovës.
  • Në Kosovë shumë ekspertë të NATO-s, duam që edhe ekspertët e Kosovës të jenë në NATO.
  • Duam që Kosova të kontribuojë me ekspertizën e vet në NATO dhe misionet e NATO-s jashtë.
  • Deri më sot bashkëpunim i frytshëm në implementimin e sanksioneve, parandalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja, koalicionin e përbashkët në luftën kundër ISIS-it
  • Ne nuk kërkojmë shkurtore. Por, ne kemi nevojë për një rrugë të qartë drejt BE-së dhe NATO-s. Ne të gjithë duhet ta njohim përparimin e rëndësishëm që ka bërë rajoni në dy dekadat e fundit, lloj i përparimit që do të ishte i pamundur pa perspektivën e NATO-s dhe BE-së në tryezë. Ato janë dy anët e së njëjtës monedhë: stabiliteti që sjell anëtarësimi në NATO, rritet dhe sigurohet më tej me procesin e transformimit të reformave të BE. Së bashku ne nuk mund të harrojmë atë që është me rëndësi historike dhe strategjike.
  • Do të doja të përfitoj nga ky rast që të falënderoj përsëri përfaqësuesit e NATO-s dhe QKSS-në për përpjekjet dhe partneritetin e ngushtë për të punuar me Ministrinë për ta bërë këtë konferencë një realitet, tha në fund Behgjet Pacolli.