Kosovë

Kosovë

KDI-ja kërkon nga krerët e komunave rritjen e transparencës

Publikuar më 13 Shkurt 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Monitoruesit e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) kanë kërkuar nga kryetarët e rinj të komunave të rajonit të Prizrenit që të rrisin nivelin e transparencës në qeverisjen komunale.

Sipas tyre, qeverisja transparente nuk është vetëm kërkesë ligjore dhe standard i qeverisjes së mirë, por është edhe një nga kriteret e rëndësishme për kualifikimin për marrjen e donacioneve nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorët ndërkombëtarë, shkruan sot "Koha Ditore". Ndërkohë, kanë theksuar se ekziston edhe një interpretim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në saje të të cilit komunat si institucione publike obligohen që t'i publikojnë vendimet në ueb faqet e tyre.

"Transparenca në qeverisje është një standard shumë i rëndësishëm. Prandaj kërkojmë nga lidershipi i ri në komunat e rajonit të Prizrenit që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitetin e duhur", ka thënë Naim Cahani i KDI-së.

Sipas tij, bazuar në një interpretim të Kushtetueses, vendimet e papublikuara në ueb faqe të komunave mund të konsiderohen edhe të pazbatueshme. "Prandaj edhe qytetarët mund të mos i përfillin vendimet e Komunës, nëse ato nuk janë të publikuara në ueb faqen e Komunës", ka deklaruar Cahani.

Ai ka pohuar se transparenca e komunave, sidomos ajo financiare, është kriter i rëndësishëm për përfitim të donacioneve.