Kosovë

Kosovë

Tahiri: Sistemi i mirëfilltë i drejtësisë fillon nga edukimi i të rinjve

Publikuar më 14 Shkurt 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur në takim Dekanët e Fakulteteve Juridike të Universiteteve Publike.

Në konferencën për medie pas takimit, Tahiri ka falënderuar dekanët për gatishmërinë për bashkëpunim.

"Pa dyshim që një sistemi i mirëfilltë i drejtësisë fillon nga edukimi i të rinjve tanë që i kemi nëpër këto fakultete. Dhe sot kur ne po fillojmë një proces shumë të rëndësishëm, siç është Rishikimi Funksional i Sistemit të Drejtësisë, kërkova nga të gjithë dekanët, nga udhëheqësit e fakulteteve juridike, që të jenë pjesë e Rishikimi, kuadrot e tyre, profesorët e tyre dhe me studentët më të mirë, në mënyrë që të arrijnë të japin kontribut në shtatë shtyllat që i kemi paraparë në reformën që do të fillojë në fund të këtij muaji", ka thënë Tahiri.

Përveç në këtë proces, ministri bëri të ditur se studentët e Fakulteteve Juridike do të jenë pjesë e programeve të veçanta të praktikës në Ministrinë e Drejtësisë, sidomos në hartimin e legjislacionit të ri.

"Kemi agjendë legjislative tejet të ngarkuar për vitin 2018. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një ministri të ketë 18 projektligje, duke përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit. Për këto projektligje kërkova që të japin kontributin e tyre, profesorët, dekanët, studentët e mirë, që të arrijmë që në fund të vitit 2018 të japim rezultate konkrete", tha Tahiri.

Nga ana e tyre, dekanët falënderuan ministrin për bashkëpunimin, duke theksuar se do të orientohen në nxjerrjen e kuadrove që i përgjigjen nevojave të tregut.

"Në të ardhmen, fokusi do të jetë qysh nga Fakultetet Juridike se si të ndërtohet një jurist që të jetë i dobishëm për shoqërinë, që mos të krijojmë vetëm numër por edhe kualitet", ka thënë dekani i Fakultetit Juridik të UP-së, Haxhi Gashi.