Kosovë

Kosovë

PTK nuk privatizohet, duhet të ulë shpenzimet 30 për qind

Publikuar më 14 Mars 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Qeveria e Kosovës planifikon t'i ristrukturojë ndërmarrjet publike, të tërheqë investime në sektorin e minierave dhe deri në fund të vitit, ta regjistrojë Trepçën si ndërmarrje të re sipas ligjit në fuqi, për të tërhequr investitorë të huaj.

Sipas ministrit të MZHE-së, Valdrin Lluka, ka interesim të madh për Trepçën dhe sektorin minerar në përgjithësi. Në intervistën javës në RTK në emisionin "Intervista me Blerimin", Lluka tha se drejtorit Ahmet Tmava I ka mbaruar kontrata dhe për shkak të specifikave të ndërmarrjes, nuk do t'I vazhdohet.

Ndërkohë, bordi i Trepçës pritet të zgjedhet deri në mesin e prillit. Kreu i MZHE-së mohoi të ketë pengesa nga politikanët lokalë serbë. Ai theksoi se pjesa në veri e ndërmarrjes që menaxhojhet nga serbët ka pasur afarizëm pozitiv, por pjesa në jug që administrohet nga shqiptarët, ka punuar me humbje. Sa i përket alarmit të Postës së Kosovës se mund të mbesin pa paga, Lluka tha se punëtorët nuk do të mbesin pa paga, por premtoi se qeveria duhet të mundësojë një afarizëm më të mirë të kësaj kompanie publike.

Duke folur për Telekomin, ai u shpreh se së shpejti do të emërohet bordi i PTK-së, ndërsa aksionari-qeveria kosovare, do t'i kërkojë menaxhmentit të ristrukturojë kompaninë dhe të ulë deri 30 për qind shpenzimet. Rrogat mesatare në Postë janë mbi 800 euro, ndërsa në Telekom mbi 900, ka thënë ministri Valdrin Lluka, duke e pranuar se Telekomi është duke punuar me humbje milionëshe që nga viti i kaluar.

Sipas tij, deri sa të përfundojë arbitrazhi me AXOS-in, për privatizimin e dështuar të PTK-së, kompania nuk është në planet e qeverisë për privatizim. Kreu I Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, foli edhe për energjitikën, duke u ndalur sidomos te moszbatimi I marrëveshjes së nënshkruar para katër vjetësh me Serbinë. Sipas tij, Kosova po humb dhjetëra milionë euro në vit, për shkak të politikave destruktive të shtetit fqinj, ndërsa janë duke u bërë përpjekje, që të regjistrohet kompania në veri, që do të inkasojë faturat e serbëve.

Në lidhje me linjën interkonektive, Lluka potencoi se ajo nuk po aktivizohet për shkak të Serbisë. Sa i përket, projektit më të madh energjitik, termocentralit të ri "Kosova e Re", Lluka tha se kompania fituese Countour Global, është duke punuar që të kontraktojë firmat që do e ndërtojnë dhe të sigurojë edhe fondet përmes bankave të ndryshme.

Ai e pranoi se çmimi i energjisë do të rritet dhe kjo është e pashmangshme. I pyetur për bilancin tepër negativ tregtar, ministri Lluka, deklaroi se vitin e ardhshëm do të shihen përmirësime të treguesve ekonomikë, por e ka pranuar se gjithçka varet nga stabiliteti politik në vend.