Kosovë

Kosovë

Gjylie Rexha me studim në gjuhën angleze për RTK-në

Publikuar më 13 Prill 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Dr. Gjylie Rexha boton në anglisht librin e veçantë që trajton varësinë e transmetuesit publik të Kosovës (RTK) nga faktorët vendimmarrës politikë si dhe ndikimin e kësaj varësie në raportin e RTK-së me audiencat. Libri "Politics and the publik media in Kosovo" të cilin e ka botuar "LAP LAMPERT ACADEMICS PUBLISHING"  (në shqip "Etosi i humbur - Politika dhe media publike e Kosovës" -"Orfeu", 2017), trajton raportin që kanë ndërtuar faktorët vendimmarrës politikë me transmetuesin publik në Kosovë, në periudhën e protektoratit të OKB-së dhe dekadën e parë të funksionimit si transmetues publik i shtetit të pavarur.

Autorja e këtij studimi, Gjylie Rexha, thotë se ideja për botimin e librit në gjuhë të huaj, ka lindur që në periudhën e parë të studimeve doktorale, kur ka marrë edhe ofertat e para nga shtëpitë botuese të vendeve perëndimore.

"Është tema e veçantë dhe e rëndësishme për sistemet mediatike të vendeve perëndimore, ajo që duket se ka tërhequr vëmendjen e shtëpive botuese", thotë Rexha, sipas të cilës në Kosovë, Shqipëri por edhe në vende tjera të rajonit, ende janë të mangëta studimet shkencore për mediet publike si kategori e veçantë dhe e rëndësishme brenda sistemeve mediatike.

Arsyeja e dytë lidhet me specifikat e RTK-së, si transmetues publik sui generis krahasuar me transmetuesit publikë të vendeve të tjera. Si i tillë libri pritet të shërbejë për analizat krahasuese në studimet për transmetuesit publikë.

"Në studimet empirike të studiuesve të huaj kam gjetur punime dhe libra për shumë transmetues publikë. Askund nuk e gjeja rastin e transmetuesit publik të Kosovës, pavarësisht nga veçantitë e tij që janë tejet interesante për analiza të thelluara lidhur me funksionimin, ndikimin, rolin dhe raportin kompleks të mediave publike me faktorët politikë dhe me audiencat " thekson Rexha.

Në fillim ky ishte element tërheqës për hulumtimin që po bënte sepse siç thotë, tregonte se po trajtonte një temë që do të sillte risi. Më vonë, kjo u shndërrua në objektiv dhe obligim profesional e shkencor.

"Ishte obligim imi si studiuese e kësaj fushe dhe si gazetare shumëvjeçare e RTK-së, që edhe lexuesve të huaj t'u ofroja mundësinë e njohjes më në nga afër të raportit kompleks ndërmjet faktorëve me ndikim politikë dhe medias më të rëndësishme në Kosovë që nga përfundimi i luftës", shprehet Dr. Gjylie Rexha, e cila edhe në këtë rast thekson rëndësinë që kanë publikimet në gjuhë të huaja për studiuesit dhe autorët shqiptarë.

Sipas saj, libri është produkti i vlefshëm me të cilin mund të konkurrojmë dhe të dëshmojmë cilësitë tona edhe përtej audiencave shqiptare.

Në përmbajtjen e tij, libri trajton në mënyrë specifike: ngritjen dhe zhvillimin e RTK-së në periudhën e protektoratit të OKB-së, ndikimin e politikës mbi zhvillimin strategjik të saj duke përdorur legjislacionin si instrument për të krijuar varësinë e medies nga pushteti, politikën editoriale dhe përfaqësimin e faktorëve politikë në përmbajtjen e lajmeve të RTK-së, raportin e RTK-së me audiencat e saj si dhe statusin e gazetarit të lajmeve brenda RTK-së.

Në pjesën e fundit, libri ofron alternativa për reformimin dhe transformimin e RTK-së në media të mirëfilltë publike, të larguar nga ndikimi politik dhe në "aleancë" me qytetarët/audiencat e saj.