Kosovë

Kosovë

Seanca e Kuvendit nis me shqetësimin për raportin e KE-së

Publikuar më 16 Prill 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me shqetësimin e raportit i cili do të publikohet nesër nga Komisioni Evropian për vendet e ballkanit perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, ku u tha se pritet të jenë edhe akuzat ndaj ministrave, përpjekjen e partive të koalicionit për t'iu ikur obligimeve ndërkombëtare lidhur me dhomat e specializuara të gjykatave dhe çështje tjera.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se elementet e korrupsionit vërehen çdo ditë në institucionet qendrore.

Sipas tij, zyrtarët e lartë për të cilët organet e drejtësisë ngritin aktakuzë, duhet të lirohen nga detyra.

Hoti shtoi se në këtë qeveri janë tre ministra që kanë aktakuzë të ngritur tanimë. Ai përmendi një ministër që ka shkelur kodin penal duke rrezikuar sigurinë publike por që është mbajt në Qeveri me votat e deputetëve të partive në këtë koalicion, pastaj një ministër tjetër me akuza edhe më të rënda për keqtrajtim të shqiptarëve në Prishtinë gjatë luftës por që Haradinaj u detyrua ta mbajë në qeveri.

Hoti: Raporti i KE-së do të flas edhe për akuzat e ministrave

"Ne respektojmë parimin e pafajësisë të secilit derisa nuk ka një vendim përfundimtar të gjykatës që vërteton fajësinë e këtyre personave por ne nuk mund të pajtohemi që këta persona me aktakuzë të vazhdojnë të kryejnë detyrat zyrtare, është e qartë se në kryerjen e detyrave zyrtare nuk mund të jenë të paanshëm ndërkohë që hetohen. Nesër Komisioni Evropian publikon raportin për secilin vend të Ballkanit perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, sigurisht që këto akuza ndaj ministrave do të zëjnë vend në këtë raport, përfshirë këtu edhe përpjekjen e partive të koalicionit për të iu ikur obligimeve ndërkombëtare lidhur me dhomat e specializuara të gjykatave, nismën e deputetëve për amnisti për ata që kanë përdorur dhunë dhe gaz lotsjellës në Kuvend, si dhe dështimin e institucioneve të respektojnë të drejtat elementare njerëzore me rastin e dëbimit të qytetarëve turq", tha ai.

Ai shtoi se LDK nuk mund të iu ndihmojë që t'i pastrojnë listat me ministra që akuzohen dhe e vetmja mundësi është nisma e LDK-së për koordinim deri në zgjedhjet e parakohshme.