Kosovë

Kosovë

Limaj: Kosova do t'i jetë përherë mirënjohëse SHBA-së dhe NATO-s

Publikuar më 12 Qershor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, me rastin e 19 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, ka thënë se qytetarët do t'i jenë përherë mirënjohës botës demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetje të vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës.

Sipas Limajt, në këto 19 vjet Kosova ka arritur suksese të mëdha por jo të mjaftueshme.

"Luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 19 vjet më parë, i dolën në krah forcat e NATO-s, të cilat pas 78 ditë bombardimesh mbi caqet serbe, hynë në Kosovë për t'i dhënë fund masakrave dhe gjenocidit serb dhe spastrimit etnik që po bëhej mbi qytetarët e Kosovës nga forcat serbe. Qytetarët e Kosovës do t'i jenë përherë mirënjohës botës demokratike, në krye me SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin Kosovës nëpër të gjitha fazat që po kalon vendi ynë", tha ai në një postim në Facebook.

Në ditën e çlirimit të Kosovës, Limaj tha se kujtojmë mundin e sakrificën e njerëzve të këtij vendi, të cilët me dekada e shekuj janë përpjekur për ta realizuar këtë ëndërr, e cila erdhi si rezultat i kontribut shekullor të shumë gjeneratave.

"Gjenerata jonë është me fat që arriti ta kurorëzojë ëndrrën shekullore për ta pasur shtetin tonë të lirë dhe demokratik. Në këto 19 vjet të çlirimit, ne kemi arritur suksese të mëdha, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ne të gjithë bashkë duhet të punojmë fort që ta forcojmë vendin tonë, ta zhvillojmë ekonominë e vendit, ta rrisim mirëqenien e qytetarëve dhe Kosovën ta bëjmë anëtare të organizatave më të mëdha botërore", potencoi Limaj.