Kosovë

Kosovë

Pacolli: Koha që UNMIK të shndërrohet në Zyrë Politike të OKB-së

Publikuar më 12 Qershor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Republika e Kosovës është mirënjohëse për rolin dhe kontributin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjatë procesit të shtet-ndërtimit të vendit tonë?, transmeton Koha.net.

Megjithëkëtë, duke marrë parasysh rrjedhën e zhvillimeve në vend, që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, roli i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK-ut është minimizuar dukshëm dhe tani është koha për Këshillin e Sigurimit të shqyrtojë transformimin e UNMIK-ut në Zyrë Politike të Organizatës të Kombeve të Bashkuara dhe paralelisht me këtë të ndihmojë shtetin e ri në realizimin e aspiratave të vendit dhe popullit për t'ju bashkuar komunitetit të kombeve të lira dhe paqedashëse.

Ky ka qenë njëri nga mesazhet kryesore të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë takimit me ndihmës sekretaren e përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, znj Bintaoi Keita.

Në kuadër të këtij takimi, kryediplomati kosovar ka kërkuar që ndryshohet formati i diskutimeve mbi Kosovën, respektivisht reduktim të seancave, pasi që ato po abuzohen nga Serbia për ta penguar Kosovën si dhe të reduktohet buxheti i misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

"E di që nuk keni mundësi të ndryshoni dinamikën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por formati i tanishëm i diskutimeve mbi Kosovën duhet ndryshuar. Seancat duhet të reduktohen nga 4 në 1 apo 2 në vit. Dëshira jonë është të mos ndodhin ato fare apo të mbaheshin në një debat të mbyllur për publikun. Diskutimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së po abuzohet nga Beogradi, duke dhënë një narrativë të ndryshëm. Në Evropë Serbia synon të promovojë veten si një lojtar konstruktiv, ndërsa në OKB vazhdon me politikën e saj të vjetër për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe të paraqes një imazh të rremë se Kosova është ende një zonë konflikti", ka thënë ministri i Jashtëm Pacolli.

"Do të ishte mirë, që UNMIK-u ta zvogëlojë buxhetin, pasi që nuk reflekton realitetin në terren. Ne, e kuptojmë se kjo nuk është një vendim i marrë nga ju, por buxheti i UNMIK-ut nuk mund të shpenzohet për çështje që lidhen me çështjet politike, sundimin e ligjit apo fusha të tjera që mund të ndërhyjnë në kompetencën e Qeverisë", ka shtuar numri dy i Qeverisë.

Nga ana e saj, ndihmës sekretarja e përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, znj Bintaoi Keita, ka vlerësuar zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në Kosovë, rolin dhe angazhimin e deritanishëm që ka dhënë Misioni Paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara, bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, ndërkohë që është zotuar në adresimin e kërkesave nga kryediplomati kosovar Pacolli.