Kosovë

Kosovë

Rreth 140 ndërtesa publike do të bëhen me masa

Publikuar më 08 Tetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Nga sot, ndërtesa e Administratës dhe Hemodializës në Spitalin e Gjakovës është bërë me masa të efiçiencës së energjisë, falë investimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përmes kredisë së Bankës Botërore për Projektin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtërirë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se ky projekt ka për qëllim që të gjitha objektet qendrore të bëhen efiçiente.

"Deri në fund të projektit parashikohet të implementohen projekte renovuese në rreth 140 ndërtesa publike në tërë Kosovën. Është me rëndësi ndikimi në ambient, vetëm me këto projekte do të evitohet emetimi i dyoksidit të karbonit. Projekti ka vlerë 30 milionë euro", tha ai.

Ai ka bërë të ditur se kanë dërguar në Kuvend Ligjin për Efiçiencë të Energjisë i cili parasheh krijimin e një fondi 10 milionë euro që do të ndihmojë në efiçiencë të energjisë.

"Do t'i jepet qasje të gjitha institucioneve të tjera lokale dhe qendrore që të bëhen efiçiente. Gjakova e ka një rëndësi të veçantë pasi e shërben edhe komunën e Bajram Currit dhe të Hasit", tha ai.

Ndërsa, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli tha se në kuadër të zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë, deri në fund të projektit do të rinovohen 100 objekte, kostoja e të cilave është rreth 30 milionë dollarë.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, u shpreh i kënaqur me investimet që janë bërë në ndërtesat e Spitalit të Gjakovës. Ai derisa prezantoi investimet e bëra këtë vit, tha se 2018 shënon vitin e sukseseve të mëdha në këtë spital që nga paslufta.

"Këtë vit spitali ka qenë kantiere ndërtimi. Së pari është ndërtuar në efiçiencë në administratë e hemodializë, së shpejti do të fillojë edhe ndërtesa e ambulancave specialistike", u shpreh ai.

Ndryshe, renovimi i kësaj ndërtese është realizuar në kuadër të pakos prej 20 ndërtesave publike/qeveritare të kontraktuar në vlerë prej 3.4 milionë euro, e cila kontratë pritet të përfundojë në fund të muajit tetor.