Kosovë

Kosovë

Haradinaj rithekson se tema e ndryshimit të kufijve është e vdekur

Publikuar më 09 Tetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se qëndron prapa deklaratave të tij se opsioni i ndryshimit të kufijve është i vdekur.

Një ditë më herët, Haradinaj është kritikuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për këto deklarata duke thënë se Haradinaj duhet t'i korrigjojë këto deklarata. Në të kundërtën, Thaçi kishte thënë se krerët e institucioneve edhe mund të largohen.

Por, Haradinaj tha se nuk pret që deklaratat e tilla të ndikojnë në rrëzimin e Qeverisë që ai drejton.

"Kush e ka ndërmend ta rrëzojë Qeverinë nuk flet, e rrëzon. Ata që flasin mos u mërzitni për ta", tha Haradinaj.

"Ai që ka vdekur nuk ngjallet më. Njëherë ka ndodhë, është ngjallur Krishti, po çështja e korrigjimit të kufijve, e shkëmbimeve të territoreve ka vdekur", tha Haradinaj.

"E vetmja mënyrë që kjo temë të mbahet gjallë është përmes ndonjë skenari të dhunës, gjoja në veri, apo të ndonjë incidenti e ndonjë sulmi të ndërsjellë, në mënyrë që pastaj të konfirmohet ndarja. Por nuk ka mundësi politike më në tavolinë ky opsion sepse e kanë kuptuar të gjithë se është temë e vdekur", u shpreh kryeministri Haradinaj.

Ai tha se me heqjen e këtij opsioni nga tavolina kanë fituar të gjithë, si shqiptarët ashtu edhe serbët.