Kosovë

Kosovë

Shukri Buja dënohet me 3 vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Publikuar më 05 Nëntor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Gjykata në Prishtinë e ka shpallur fajtor Shukri Bujën, Nehbi Zeqirin e Halit Gashin për keqpërdorim të autoritet zyrtar. Siç raporton KTV-ja, dënimi me burgim për Shukri Bujën është 3 vjet, Nehbi Zeqiri u dënua me 2 vjet e gjashtë muaj, ndërsa Halit Gashi mori dënim me kohëzgjatje prej 6 muajsh e që mund t'i shndërrohet në gjobë prej 3500 euro.

Buja u akuzua nga prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga Komuna e Lipjanit me kompaninë "NEw Co Feronikel Complex LL. C.".

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me "NEW Co Feronikel Complex LL. C." për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që "NEW Co Feronikel Complex LL. C." të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit. Ekzekutimi i dënimit ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, bëhet pasi vendimi bëhet i plotfuqishëm.

Shukri Buja pas shpalljes së aktgjykimit ka thënë se ky rast është i orkestruar nga njerëz të politikës duke mos përmendur emra se nga kush konkretisht.

Ai ka thënë se ndoshta pas këtij vendimi qytetarët e Kosovës mund ta marrin liberalizimin e vizave, megjithëse është shprehur skeptik.