Kosovë

Kosovë

SHBA mbështet anëtarësimin e Kosovës në Interpol, kundërshton fushatën e Serbisë

Publikuar më 08 Nëntor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Shtetet e Bashkuara ta Amerikës i kanë dhënë një "shuplakë" tepër të fortë Serbisë dhe veçanërisht Ivica Daçiqit, ministër i Jashtëm i shtetit serb. Media e Beogradit B92 shkruan se Daçiq nuk po gjen përkrahje nga SHBA, e se Uashingtoni ka dhënë një ndihmë ndaj Prishtinës, transmeton Shekulli.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të palëkundura në idenë e tyre se Kosova ka qenë dhe mbetet një shtet sovran dhe i pavarur, që po vazhdon rrugëtimin e saj europian, ndërsa njohjet plus ndaj Kosovës të vendeve të botës janë shenjë e stabilitetit ballkanik dhe pan-europian.

"Ne i bëjmë thirrje qeverisë tuaj për të konfirmuar fuqishëm njohjen e Kosovës si një anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Duke nisur nga viti 2008, Kosova u shpall e pavarur dhe atë e kanë njohur mbi 100 shtete anëtarë të OKB. Kosova vazhdon të përparojë si një vend me demokraci të pavarur dhe ka një shoqëri multi-etnike. Njohjet shtesë bilaterale dhe multi-laterale ndaj Kosovës do të kontribuojnë për një stabilitet gjithnjë e më të madh në Europë. Izolimi i qytetarëve të Kosovës ndaj Europës dhe botës vetëm sa shkakton probleme në stabilitetin rajonal e europian", është thënë në një letër dërguar autoriteteve, kryesisht ambasadave e shërbimeve që kanë të bëjnë me diplomacinë në rajonin e Ballkanit, thirret B92 në burime të saj.

Sa i takon përpjekjeve të Ivica Daçiq, ministër i Jashtëm i Serbisë për të lobuar që sa më pak vende ta njohin pavarësinë e Kosovës, SHBA flet qartë dhe prerë se të tilla përpjekje e mendësi vetëm sa shkaktojnë probleme dhe rrisin tensionet rajonale, duke mos i shërbyer më tutje dialogut të nisur tanimë mes Beogradit dhe Prishtinës dhe sa ftoh raportet ndërmjet shtetit të Serbisë dhe atij të Kosovës. Përpos kësaj, BE në një raport të saj vë në dukje se të tilla përpjekje minojnë rrugën e paqes ballkanike. Në shënimin e lartpërmendur dërguar në vendet e Karaibeve, Shtetet e Bashkuara ka kërkuar prej tyre dhe për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Interpol, me arsyetimin se kjo do të "forcojë përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar krimin dhe terrorizmin, dhe se vetëm kriminelët kanë përfituar nga status quoja", shkruan "News" .

Daçiq ka njoftuar dje në një konferencë për mediat në Beograd se ka bindur liderët politikë të një vendi të dhjetë që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Veprim i tillë po dënohet nga SHBA, BE dhe partnerët më seriozë ndërkombëtarë, që veprojnë edhe në Ballkan. Serbia gjithashtu ka nisur një fushatë të "egër" dhe të paprecedentë, duke kërkuar që Kosova të mos bëhet pjesë e policisë mbarëbotërore, Interpol.

Daçiq vazhdon të këmbëngulë në idenë se ndaj liderëve të Kosovës ka urdhëra për ndalimin e liderëve politikë në këtë shtet. Në fakt, urdhrat për ndalimin e liderëve politikë në Kosovë prej Interpolit janë lëshuar më së shumti nga Serbia, që në kohën e luftës. Prishtina zyrtare së fundmi mori një vendim, duke rritur akcizën për mallrat që vijnë prej Serbisë.