Kosovë

Kosovë

Opozita fajëson shumicën, partitë në pushtet fajësojnë BE-në për vizat

Publikuar më 05 Dhjetor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Partitë politike në pushtet dhe opozitë janë përplasur deri në ora 01:00 e ditës së sotme (mërkurë) në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës dhe nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për votimin e Rezolutës së opozitës në të cilën kërkohej "dorëheqje e Qeverisë, shpërbërja e Kuvendit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja", pas paralajmërimeve të BE-së se vendimi për heqjen e vizave për Kosovën mund të shtyhet deri në vitin 2020, ka raportuar kosovain.eu.

"Forcat politike parlamentare të ulen në tryezën e bisedimeve për të dakorduar agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale, duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendit, para së gjithash votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë", ka propozuar Rezolutën shefi Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Kryesuesi i seancës Xhavi Haliti e ka shtyrë për të enjten votimin e rezolutës pasi që nuk kishte kuorum në Kuvend. Deputetët e opozitës e fajësuan Qeverinë si shkaktare të vonesave të liberalizimit të vizave për shkak të korrupsionit të lartë, ndërsa deputetët e partive në pushtet thanë se vendi i ka plotësuar 95 kriteret e përcaktuara dhe fajtore për vonesat në liberalizimin e vizave është Bashkimi Evropian.

Kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se arsyeja kryesore për vonesën e liberalizimit të vizave është dështimi total për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka cituar deklaratat e Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, të bëra gjatë të hënën në Prishtinë, ku ka pohuar se fajtor për vonesat e liberalizimit të vizave janë procedurat e BE-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi , e ka quajtur jo serioze seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, duke iu referuar kështu nënshkrimeve të mëhershme, "të cilat ishin të manipuluara", e po ashtu edhe rezolutës, ku tha se përmenden zgjedhjet. (kosovain.eu)