Kosovë

Kosovë

Mustafa: Kryenegociatorët u morën me vetveten dhe jo me dialogun

Publikuar më 09 Janar 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, e ka vlerësuar si të pa relevancë ekipin negociator të Kosovës në Bruksel. Sipas tij, bashkëkryesuesit e dialogut u morën me vetveten e LDK-në dhe jo me esencën e dialogut. Ndërsa tha se morën porosinë për heqjen e taksës si parakusht për vazhdimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

"Dje Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë. Mos të flas për numrin. Më parë, me kompetencë, një ministre e bënte punën e gjithë atyre që ishin në Bruksel. Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun", ka shkruar Mustafa.

"Bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan t'i tregojnë Kosovës se kush janë. Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në", ka shtuar ai.

"LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën. Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet. Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla. Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti", ka shkruar kreu i LDK-së në Facebook.