Kosovë

Kosovë

Hoti thotë se Kosova ka vetëm dy mundësi që "guxon" të dialogojë

Publikuar më 12 Shkurt 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se për të dialogur me Serbinë, Kosova ka vetëm 3 mundësi.

Sipas tij, procesi i dialogut duhet të zhvillohet vetëm me pajtueshmëri prej 2/3 të votave të Kuvendit dhe se çdo format tjetër i zhvillimit të dialogut e bënë atë jo legjitim dhe jo kushtetues.

"Pasi marrëveshja përfundimtare kërkon 2/3 e votave të Kuvendit për t'u ratifikuar, atëherë edhe platforma për dialog është legjitime dhe kushtetuese vetëm kur miratohet me 2/3 e votave në Kuvend", ka thënë Hoti, raporton Koha.net.

Duke qenë se institucionet aktuale, sipas Hotit, nuk kanë legjitimitet politik për të përfaqësuar Kosovën në dialog, atëherë janë dy mundësi.

"E para, dialogu të zhvillohet pas zgjedhjeve nga institucionet legjitime bazuar në përgjegjësitë e tyre kushtetuese. E dyta, formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, e cila e përmbyll dialogun dhe e përgatit vendin për zgjedhje. Në të dyja rastet, dialogu zhvillohet vetëm me pajtueshmërinë e 2/3 të votave në Kuvend", potencoi Hoti.

Në cilindo variant, Hoti thotë se të gjithë duhet ta kenë të qartë se integritetit territorial i Republikës së Kosovës dhe karakteri unitar i shtetit nuk negociohen.

"Kosova nuk mund të hyjë në pazare për territor. Me vullnet të lirë, në dakordim me partnerët ndërkombëtarë, më 17 shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë shpallur pavarësinë. Këtë vendim shteti i Kosovës e ka mbrojtur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konkluduar se pavarësia e Kosovës nuk ka cenuar të drejtën ndërkombëtare", u shpreh shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai përfundoi duke thënë se LDK-ja i ka adaptuar parimet bazë lidhur me dialogun dhe "jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha forcat politike karshi atyre parimeve".