Kosovë

Kosovë

Jashari: Përkrahës të mi i konsideroj të gjithë banorët e Skenderajt

Publikuar më 14 Prill 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas njoftimeve se në PDK-në e Skenderajt sot ka pasur përleshje fizike. Jashari ka thënë se nuk është as nuk do të jetë fajtori kujdestar për çdo problem që ndodhë në subjektet politike.

"Unë i kam hapur dyert e bashkëpunimit për të gjithë, pa dallim. Pavarësisht kësaj, për aq kohë sa do të jem në krye të Komunës, përkrahës të mi i konsideroj të gjithë banorët e Skenderajt. Për mua, të gjithë, pa asnjë dallim, janë qytetarë të barabartë, të njëjtë", ka thënë Jashari.

Koha.net ka raportuar gjatë ditës se zgjedhjet e brendshme të PDK-së në komunën e Skenderajt, kanë degraduar në përleshje fizike të dielën.

Duke u thirrur në burime të gazetës Koha Ditore, ishte mësuar se përplasjet janë shënuar midis grupit të Sami Lushtakut dhe atij të Nuredin Lushtakut që e mbështet kryetarin e komunës, Bekim Jashari. Të pranishëm, pos këtyre dyve kishin qenë edhe deputetët Bekim Haxhiu e Ganimete Musliu.

Sipas burimeve, përleshja fizike ka ndodhur gjatë një tubimi të organizuar me synimin për t'i zhvilluar zgjedhjet në seksionin e Klinës së Epërme. Pas saj, procesi zgjedhor është ndërprerë.

Skenderaj ka qenë bastion i PDK-së që prej formimit të partisë, ndërkaq përçarjet në të u bënë të dukshme në zgjedhjet e fundit lokale, kur në garë për kryetar komune u përfshi Bekim Jashari.