Kosovë

Kosovë

Kosova mirënjohëse ndaj Turqisë për futjen e shqipes lëndë zgjedhore

Publikuar më 17 Prill 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në takimin që zv.kryeministri, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, pati me ambasadorin turk në Kosovë, Çagri Sakar, u bisedua për diasporën shqiptare në Turqi, për mësimin e gjuhës shqipe dhe për investimet strategjike.

Si theksohet në njoftimin për media, ministri Gashi falënderoi ambasadorin turk, Sakar, përkatësisht shtetin turk që gjuhën shqipe e ka futur si lëndë zgjedhore në kuadër të mësimit të rregullt në Turqi. Aktualisht, mësimi shqip zhvillohet në shkollat fillore të qyteteve Izmir dhe Bursë.

Z.Gashi e informoi ambasadorin turk se në kuadër të investimeve strategjike ka interesim nga kompani turke për lehtësirat e investimit në Kosovë, si dhe për aplikimin për statusin e investitorit strategjik. Po ashtu, ai u shpreh i gatshëm që Marrëveshja ekonomike mes dy shteteve të jetësohet sa më parë.

Ambasadori Çagri Sakar shfaqi interesim për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e arsimit dhe në ekonomi. Gjithashtu, shprehu gatishmëri që të thellojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në fushën e arsimit, përkatësisht për diasporën shqiptare në Turqi. ?