Kosovë

Kosovë

Britanikët: S'ka pajtim për shtyrjen e emërimit të drejtorit të Akreditimit

Publikuar më 24 Maj 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ambasada britanike nuk ka arritur kurrfarë pajtimi me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për ta shtyrë emërimin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Këtë e ka konfirmuar Ambasada britanike përmes një përgjigjeje me shkrim për Kohën Ditore.

Ditë më parë, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në një intervistë në "Interaktiv" të KTV-së ka thënë se emërimi i drejtorit të AKA-së është bllokuar pasi Agjencia është në fazën e anëtarësimit në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe vlerësimit në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Emërimi, sipas tij, do të shtyhet deri në shtator, meqë atëherë ENQA dhe EQAR pritet të vendosin për AKA-në. Ministri e ka kontestuar përgatitjen e kandidatëve të renditur në listë, duke thënë se asnjëri nga ta nuk i plotësojnë kriteret. Por nuk ka përmendur se e kanë në plan anulimin e konkursit.

Në muajin tetor, Komisioni i Ministrisë së Administratës Publike (MAP) dhe britanikët kanë dalë me propozime të ndryshme për këtë pozitë.

"Jemi duke kaluar në një proces të rëndësishëm, dhe kemi menduar që këta kandidatë që janë përzgjedhur asnjëri nuk i plotëson kushtet për të qenë në krye të Agjencisë. Në kuadër të kësaj janë përfshirë edhe shumë partnerë ndërkombëtarë, të cilët e përkrahin idenë tonë që të mos emërojmë dikë nga ky grup i cili është përzgjedhur", ka thënë ministri Bytyqi, i cili ka shtuar se ideja është që deri në shtator të mos ketë emërim, por të vazhdohet me ushtrues detyre.