Kosovë

Kosovë

Tahiri: Sundimi i Ligjit po merr qasjen dhe drejtimin e duhur

Publikuar më 17 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorë dhe shefa të misioneve diplomatike të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët i ka informuar për masat që po ndërmerr Ministria e Drejtësisë në adresimin e gjetjeve të Raportit të Vendit të Komisionit Evropian.

Ministri Tahiri  ka theksuar se Raporti ka vlerësuar progresin në reformat legjislative dhe po ashtu hapat e ndërmarra në konsolidimin e sistemit të drejtësisë.

Përveç ndryshimeve normative, ministri Tahiri ka theksuar se raporti flet edhe për rritjen e numrit të stafit gjyqësor në prokurori dhe gjykata, përfshirë edhe në Prokurorinë Speciale.

"Dëshiroj të theksoj se pas investimeve që kemi bërë në gjyqësor dhe sistemin prokurorial përmes rritjes së buxhetit për to, sot Republika e Kosovës ka arritur kuotat sipas standardeve evropiane për numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për kokë banori. Ky investim do vazhdojë edhe në të ardhmen dhe presim një planifikim adekuat për nevojat e KGJK dhe KPK-së të cilat do t'i mbështesim vazhdimisht" ka thënë ministri Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, Raporti vlerëson iniciativat e Ministrisë së Drejtësisë, Rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit dhe Agjenda "Drejtësia 2020", si mekanizëm për koordinimin institucional në funksion të zbatimit të ligjeve në fuqi.

Përveç ndryshimeve të bëra në Shërbimin Korrektues dhe Sprovues, ministri Tahiri ka përmendur edhe ndryshimet që po bëhen në legislacionin dhe mekanizmat e luftës kundër korrupsionit.

Në këtë drejtim, ndryshimet mundësojnë instrumente më të fuqishme, sipas ministrit Tahiri, për arritjet e rezultateve më të mira.

"Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është proces që duhet të matet me një numër të thjeshtë rastesh të shënjestruara por duhet të vazhdojë të prodhojë rezultate të përgjithshme në secilin drejtim dhe mendoj se kemi ende shumë punë për të bërë që të arrijmë rezultate më të mëdha në këtë drejtim.

Por ajo çfarë është e sigurt është se sot, pas miratimit të reformave legjislative, organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë në duar instrumente të fuqishme për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar në një nivel krejt tjetër nga ajo çfarë është dëshmuar deri me sot" ka thënë ministri Tahiri.

Raporti i Vendit ka vlerësuar edhe arritjet në kuadër të bashkëpunimit juridik në çështje penale, në intensifikimin e bashkëpunimit, marrëveshjeve të reja dy paleshe dhe efikasitetit të organeve tona në këtë fushë.

Sundimi i ligjit, sipas ministrit Tahiri, por merr qasjen dhe drejtimin e duhur, duke qenë afër fizionomisë së plotë të Shtetit të së Drejtës.

"Puna që kemi bërë për më shumë se një vit, ka qenë e drejtuar në funksion të përmbushjes së aspiratave tona për sundim efikas të rendit dhe ligjit, për luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për qasje më efikase në drejtësi për qytetarët tanë. Personalisht, si Ministër i Drejtësisë jam përpjekur që ky projekt kombëtar, pra sundimi i ligjit, të marrë qasjen dhe drejtimin e duhur. Me ato ligje që kemi reformuar që janë në fuqi dhe të tjerat që janë në proces, besoj se Republika e Kosovës nuk ka qenë kurrë më afër fizionomisë së plotë të Shtetit të së Drejtës" ka thënë ministri Tahiri. (kosovain.eu)