Kosovë

Kosovë

Trump konfirmon hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për ekstradim Kosovë-SHBA

Publikuar më 18 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nëpërmjet zyrtarëve të lartë të shtetit amerikan, ka pranuar letrën e nënshkruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me të cilën konfirmohet hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Ekstradimit mes Kosovës dhe SHBA-së, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.

"Unë, Donald J. Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ratifikoj dhe e konfirmoj Traktatin. Andaj, kam nënshkruar këtë instrument të ratifikimit dhe e kam mbyllur me vulën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës" thuhet në letrën e Presidentit Trump.

Ministri Tahiri ka theksuar se marrja e kësaj letre është akt historik në marrëdhëniet dypalëshe.  "Nga zyrtarë të lartë të shtetit amerikan tashmë kam pranuar letrën e nënshkruar nga Presidenti i SHBA-ve z. Donald Trump, dhe nga Sekretari i Shtetit, z. Mike Pompeo, përmes së cilës konfirmohet hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Ekstradimit në mes dy vendeve. Kjo marrëveshje shënon një akt historik në marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Kosovës dhe është garanci e mëtejme se sundimi i ligjit është i pa alternativë dhe lufta kundër krimit do të shkojë deri në fund" ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se pesha historike e kësaj marrëveshje, me vulën e Presidentit Trump, do të lë gjurmë në historinë e shtet ndërtimit tonë dhe do ta markojë Kosovës në rangun e një vendi, në të cilin prijësit e demokracisë liberale dhe sundimit të ligjit kanë besim të plotë.

Protokolli i instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është nënshkruar javën e kaluar nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer në Prishtinë. (kosovain.eu)