Kosovë

Kosovë

Qeveria aprovon koncept dokumentin për personat e zhdukur

Publikuar më 18 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Sot në mbledhjen 107-të, Qeverisë së Kosovës në pajtim me Përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka miratuar dhe i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës, Opinionin e ndikimit buxhetor dhe Opinionin Ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.

Edhe vendimi për fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve dhe formimi i Task Forcës kundër narkotikëve dhe sigurisë në shkolla, ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Qëllimi i formimit të Task Forcës është parandalimi, luftimi dhe largimi i drogës nga institucionet shkollore. Ky do të jetë qëllim primar, ndërkaq synohet përgjithësisht luftimi i drogës në mesin e të rinjve. Task Forca do të ndërmerr veprimet e nevojshme që droga të mos jetë prezentë te të rinjtë.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është aprovuar edhe vendimi për caktimin datës 24 Qershor si Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian në Republikën e Kosovës.

Kabineti qeveritar ka aprovuar Koncept Dokumentin për Personat e Zhdukur, i cili synon të rregulloj statusin e personave të zhdukur dhe familjeve të tyre, përmes plotësim ndryshimit të legjislacionit që trajton çështjen e Personave të Zhdukur dhe mbrojtjen e interesit të familjeve të të zhdukurve.

Është anuluar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme vendimi 05/105 të datës 28 maj 2019, për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme në Komunën e Prishtinës për nevojat e akomodimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimet e ndara për emërimin e drejtorëve në:

- Bordin e N.P.H Lepenc, Sh. A;

- Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës, Sh. A;

- Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina Sh. A;

- Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidrodrini Sh. A. Pejë;

- Kompanisë Rajonale të Ujitjes Drini i Bardhë Sh.A. Pejë;

- Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica Sh. A. si dhe të

- Kompanisë Rajonale të Ujitjes Radoniqi-Dukagjini Sh. A. Gjakovë.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Qeveria ka miratuar vendimin për anulimin e vendimit të Qeverisë të datës 11.06.2019, për emërimin e sekretarit të përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes. Ka marr miratimin edhe vendimi për vazhdimin e afatit për legalizimin e armëve deri në shtator të këtij viti.

Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar i është kërkuar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënia e autorizimit për ministrin e Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Forcimit të Sektorit Financiar. Qëllimi i projektit është përmirësimi i qasjes në financat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke forcuar kapacitetin financiar dhe teknik të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Vlera e përgjithshme e marrëveshjes është 22,3 milionë euro, me 25 vjet maturitet, prej të cilave 5 vjet janë grejs periudhë, kurse 20 vjet amortizim i kredisë me këste gjysmë vjetore.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për vlerësimin e ndikimit socio - ekonomik për pronat e paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të miratuara për shpronësim sipas vendimeve përfundimtare Nr. 06/98 të datës 18.04.2019, Nr. 07/95 të datës 26.03.2019, Nr. 05/73 të datës 30.10.2018 dhe Nr.06/73 të datës 30.10.2018 të cilat preken nga realizimi i projekteve të infrastrukturës.

Është miratuar nga kabineti qeveritar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga themelimi i "Zonës Ekonomike" në Komunën e Malishevës, Zonat Kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik të Komunës së Malishevës.

Koncept Dokumenti për Masat e Sigurisë së Rrjeteve të Sistemeve të Informacionit ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Koncept dokumenti analizon situatën aktuale në këtë fushë me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve të informacionit si dhe ngritjen e qëndrueshmërisë dhe elasticitetit të tyre ndaj sulmeve të mundshme në nivel nacional dhe global.

Kabineti qeveritar u informua edhe me Raportin e Performancës së Komunave për vitin 2018. Rezultatet e përgjithshme të performancës për vitin 2018 tregojnë ngritje për 6.02 për qind në nivel vendi, krahasuar me vitin 2017. Arritja e përgjithshme e performancës së komunave në vitin 2018 është 60.54 për qind. Nga 36 komuna raportuese, 24 prej tyre kanë treguar performancë të lartë të nivelit, shprehur në përqindje nga 66.66 deri në 100 për qind. Analiza është e bazuar në arritjet e shënuara në 14 fusha dhe 77 tregues të kompetencave të komunave.

Në fund të mbledhjes kryeministri Haradinaj ka kërkuar që të informohet kabineti qeveritar nga ministri i Punëve të Brendshme rreth pritjeve të gjata në vendkalimin kufitar Kosovë - Shqipëri dhe nga ministri i Financave rreth marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Hungarisë.