Kosovë

Kosovë

Haxhiu: Tahiri s'do përballje në çështjen e noterëve sepse është përgjegjës për komprometimin e procesit

Publikuar më 09 Korrik 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit e Mbikëqyrje të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, thotë se mosprania e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, për të raportuar në lidhje me çështjen e noterëve, tregon se ai është përgjegjës për tërë procesin.

"Fakti që Abelard Tahiri refuzon për herë të dytë raportimin në Komision për skandalin e rekrutimit të noterëve të rinj, flet më shumë se çfarëdo argumenti tjetër. Ai nuk do përballje sepse është përgjegjës për komprometim të procesit. Ne nuk do të ndalemi me kërkesa për llogaridhënie dhe dhënie të përgjegjësisë e sidomos me kërkesën për anulimin e këtij procesi dhe kthim në pikën zero", ka shkruar Haxhiu, përcjell Koha.net.

Ministri Tahiri kishte për të raportuar sot në këtë Komision, por përmes një postimi në Facebook tha se s'do të jetë i pranishëm, ku ndër tjera, thotë se provimi i Noterisë ende s'ka përfunduar.

Më herët, Haxhiu i ka dërguar letër Tahiri për t'i kërkuar sqarim për "skandalin e rekrutimit të noterëve të rinj".

Për dyshimet mbi parregullsitë në procesin e rekrutimit të noterëve të rinj ka raportuar gazeta "Koha Ditore". Në listën për t'u bërë noterë, që përbëhet nga rreth 200 emra që janë në pritje për t'iu nënshtruar testit me shkrim, rreth 70 prej tyre janë emra që kanë lidhje me politikën e sistemin e drejtësisë.