Kosovë

Kosovë

Hoti: Nuk e japim kryeministrin

Publikuar më 10 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ripërsëritur qëndrimin se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie që formohet nga kalkulime të ndryshme politike dhe pa zgjedhje.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se spektri i gjerë politik është pajtuar që të shkohet në zgjedhje, ndërsa thotë se nuk ekziston asnjë presion ndërkombëtar për formimin e ndonjë qeverie të përkohshme.

"Nuk ka kërkesa të tilla dhe qëndrimi i jonë është i qartë. Prandaj edhe nuk ka kërkesa të tilla, sepse të gjithë e kanë parë edhe faktorët e brendshëm edhe partnerët ndërkombëtarë, besoj që të gjithë janë të bindur nuk mund të shkohet përpara, nuk mund të shkojnë proceset përpara nuk mund të udhëhiqet vendi nga një Qeveri e cila nuk ka legjitimitet. Kryetari Mustafa tani është duke taku ambasadorët e vendeve mike që janë të vendosura në Prishtinë për të tregu pozicionin për të rikonfirmuar pozicionin e Lidhjes Demokratike, edhe për zgjedhje të lira, por edhe për proceset  e rëndësishme të proceseve nëpër të cilat jemi duke kaluar si vend", thotë ai.

Ish-kandidati për kryeministër në zgjedhjet e kaluara, thotë se për postin e të parit të qeverisë, ekziston një qëndrim i prerë brenda LDK-së.

Thotë se parapëlqejnë që të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

Posti i kryeministrit i takon partisë më të madhe e para. E dyta ne si Lidhje Demokratike i kemi formësuar qëndrimet ka një kohë nëpër organet e LDK-së, edhe kryetari Mustafa e ka ritheksuar edhe pas rizgjedhjes së tij në krye të LDK-së, që ne parapëlqejmë të shkojmë si parti vet në këto zgjedhje që të matemi para qytetarëve dhe në përputhje mandej me vullnetin e qytetarëve mandej të  sillemi pas zgjedhjeve. Termi vija të kuqe kam përshtypjen që po përdoret në kontekstet të ndryshme, ne jemi në një garë politike garojmë karshi partive të tjera për të fituar besimin e qytetarëve për të udhëhequr me vendin, ne kemi pasur përvoja të ndryshme të bashkëpunimit me partitë të ndryshme që janë politikë sot", thotë ai.

Hoti ka folur edhe për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Thotë se ekziston vullneti i dyanshëm për një bashkëpunim të mundshëm, por shton se kanë dallime substanciale në temat kryesore.

"Edhe me Vetëvendosjen me të cilën po flitet shumë, kemi dallime substanciale në qasjen qeverisëse saj përket politikave ekonomike. Ne jemi parti e qendrës së djathtë ata tentojnë të profilizojnë veten si parti e majtë ose e qendrës së majtë. Kemi dallime edhe te politikat sociale kemi dallime edhe temave të tjera por ne do të qojmë përpara agjendën tonë për aq kohë sa marrim besimin më të madh të qytetarëve në vend dhe besoj që është krijuar një momentum i jashtëzakonshëm për ndryshime në Kosovë", thotë ai.

Hoti përsërit qëndrimin e LDK-së, se më nuk do të bashkëqeverisin me PDK-në, pasi që thotë se kanë përvoja të keqe, raporton EO.

Bashkëpunimin në dy mandate e arsyeton, duke thënë se është bërë "për të mirën e Kosovë", edhe pse kanë kaluar shumë keq.

"Me PDK-në kemi pasur bashkëpunim në kohën e Rugovës nga viti 2001 deri në vitin 2004, së paku në këto dy qeveritë e fundit kur kemi punuar bashkë, në këto dy koalicione nuk jemi nda mirë sepse nuk e kanë respektuar asnjëherë marrëveshjet me të cilat kemi hy, sepse kemi hy për agjenda shtetërore të rëndësisë nacionale, jo për qeverisje të zakonshme të përditshme. Në atë koalicionin që ka qenë në vitin 2008-2010 kur është shpallur pavarësia është dashur të jenë forcat kryesore politike në qeverisje dhe gjithashtu proceset në të cilat ka kaluar Kosova sa ka qeverisur kryeministri Mustafa, në të dyja rastet kemi kalua jashtëzakonisht keq", thotë ai.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, janë shpeshtuar zërat për një koalicion të mundshëm parazgjedhor mes dy partive më të mëdha opozitare.