Kosovë

Kosovë

Ish-deputetja e PDK-së intervistohet sot nga Gjykata Speciale

Publikuar më 19 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Safete Hadergjonaj, ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), do të intervistohet sot nga hetuesit e Gjykatës Speciale në Prishtinë.

Gjatë një bisede të shkurt me Gazetën Sinjali, Hadergjonaj ka thënë se ftesa fillimisht i kishte ardhur për tu intervistuar në Hagë, por për shkak të problemeve me vizë, më pas i ishte thënë se do të intervistohet në Prishtinë.

"Në ftesën që e kam marrë që intervista do të bëhet në Hagë më 19, ndërsa tri ditë pasi e kam marrë ftesën më ka telefonuar një person dhe më ka thënë se intervista do të zhvillohet këtu për shkak të dokumentacionit sepse nuk kam vizë për arsye se ftesa ka ardhur me vonesë. Aty thuhet që 21 ditë më herët duhet të rregullohet dokumentacioni, kështu që nesër intervista zhvillohet në Kosovë", kishte deklaruar ajo për Sinjalin.

Më tutje Hadergjonaj ka thënë se në ftesën e pranuar është informuar vetëm se do të jetë intervistohet në cilësinë e dëshmitares.

"Në ftesë shkruan se do të intervistohem në cilësinë e dëshmitares, ndërsa nuk kam ndonjë informatë tjetër se për çka do të intervistohem apo ku është fokusi. Po jam interesuar edhe për avokat, por nuk e di si janë procedurat aty".

"Kryesorja është që nesër do t'i përgjigjem ftesës dhe do t'i përgjigjem me korrektësi qytetare ligjore. Dëshmia ime është vetëm për pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe vuajtjet e shqiptarëve që i kanë përjetuar në luftë dhe do të japë intervistë me kompetencë për pastërtinë dhe drejtësinë e UÇK-së", kishte deklaruar Hadergjonaj.

Gjatë ditës së djeshme nga hetuesit e Gjykatës Speciale janë intervistuar edhe Time Kadrijaj, Naim Maloku si dhe Sokol Bashota.