Kosovë

Kosovë

Haradinaj: Heqja e taksës bëhet vetëm kur Serbia tan njohë Kosovën

Publikuar më 20 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se ajo që ka mbetur të zgjidhet me Serbinë është vetëm njohja reciproke me kufijtë ekzistues.

Sipas tij, nuk është për diskutim territori, kufijtë e Kosovës e rregullimi i brendshëm kushtetues i Kosovës, por vetëm marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve. Këto, Haradinaj i ka thënë derisa u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, në platformën online të Institutit Demokratik të Kosovës, ku ka theksuar edhe njëherë qëndrimin e tij për taksën, se e njëjta hiqet vetëm me njohje.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili synon të udhëheq sërish me qeverinë e Kosovës, tha se udhëheqësit kosovarë duket t'i marrin vendimet vet për shtetin, dhe mos të bëjnë kompromise të dhimbshme.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve lidhur me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, Haradinaj tha se Kosova nuk mund të ofrojë kreativitet për një marrëveshje duke e dëmtuar vetën.

"Liderët e Kosovës nuk guxojnë me vazhdu në logjikat e robit, më falni që po i them kështu, dikur kanë thënë që po na thonë Beogradi se kemi qenë pjesë e federatës, më vonë po na thonë miqtë ose aleatët e tash kaniherë po shkojmë po na thonë Tirana, se nuk jemi mësuar me vendosë vet në Prishtinë. Mendoj që udhëheqësit e Kosovës duhet me fillu me i marrë vendimet vet, mendoj që për vendime sovrane tona nuk duhet me i ba hisenik ose pjesëmarrës të tjerët, ndryshe nuk ka kuptim sovraniteti, nuk ka kuptim pavarësia dhe për këtë arsye ideja që me qenë kreativ dhe thirrja për kreativitet është një maskim për kompromise të tjera të dhimbshme për një marrëveshje me Serbinë, dhe nuk guxojmë me shku kësaj rruge", tha Haradinaj, përcjell ksp.

Ai ka përsëritur qëndrimin e tij, që heqja e taksës bëhet me njohje, dhe sipas tij, është maksimumi që mund të bëjë Kosova në rast të një marrëveshje për njohje.

Haradinaj tha se kyçja e Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, përmes Matthew Palmer, flet për seriozitetin e këtij procesi dhe theksoi se e mirëpret një gjë të tillë.

Sipas Haradinajt, Amerika asnjëherë nuk ka kërkuar kompromise të dhimbshme, siç është ndarja e Kosovës.

"Aleati (Amerika) nuk ka kërkuar copëtim, janë njerëzit e rajonit që kanë shku e i kanë thënë aleatit po kemi qejf me u copëtu, dhe Amerika u ka thënë Ok tregona qysh copëtoheni, por nuk është që Amerika ka kërkuar copëtim. Ekziston njëfarë inercioni që kur kanë shkuar njerëzit tonë dhe kanë thënë ne duam copëtimin e vetvetes atëherë me siguri që ajo e ka shkaktuar atë", tha Haradinaj.

Haradinaj përsëriti që Kosova nuk mund të ndahet, as në bisedime në tavolinë e as në mënyra të tjera.

Gjithashtu, ai theksoi edhe njëherë qëndrimin për taksën, ku tha se opsioni i atyre që janë për suspendim të saj e dobëson Kosovën duke e lënë pa argumentin e fundit.

"Dorëheqjen e kam dhënë për mos me heq taksën, fatkeqësisht ata që nuk kanë mundur me qëndru, tani po përhapin mjegull dhe janë po ata që e kanë shkaktuar dobësimin e Kosovës në plot drejtime", tha Haradinaj.

Haradinaj foli edhe për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, kur u pyet se pse ai nuk flet shumë për taksën dhe dialogun me Serbinë.

"Nuk e di për besë, duhet me vet Albinin, ka ndryshuar shumë edhe ai, është zor tash me ja kuptu logjikën. Unë kam thënë disa herë që pa qëndrueshmëria nuk është vlerë, ne gjithë evoluojmë por sa herë ndërron qëndrim duhet dhënë shpjegim për çdo gjë, dhe pse është ndërruar ai qëndrim", tha ai.