Kosovë

Kosovë

Haradinaj tregon se a do të hynte në koalicion me VV-në, thotë se AAK e pranon rezultatin zgjedhor

Publikuar më 08 Tetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka thënë se partia e tij e pranon rezultatin e KQZ-së dhe nuk kërkon rinumërim të votave.

Haradinaj ka thënë se është e padrejtë të dëmtohet një proces kaq i mirë zgjedhor.

"Aleanca, pra Koalicioni ynë, e pranon rezultatin zgjedhor, ashtu sipas të dhënave të KQZ-së. Është e padrejtë me dëmtua një proces kaq të mirë zgjedhor. Qytetari nuk na ka dhënë të drejtën me kriju Qeverinë, u ka dhënë partive të tjera. I urojmë partitë tjera, edhe të parën edhe të dytën", ka theksuar Haradinaj.

Haradinaj theksoi se sipas rezultateve preliminare AAK ka 11.54% të votave, duke thënë se AAK ka shënuar rritje duke shprehur besimin se AAK do të arrijë në 100 mijë vota. Ai ka shprehur respektin për besimin e 100 mijë votuesve për Koalicionin AAK-PSD.

"Kemi 11.54%, sipas të dhënave të KQZ-zë. Nga trendi që shihet, pra ekziston një mundësi reale që ne afrohemi rreth 100 mijë vota. Ne i falënderojmë qytetarët për këtë besim. Është një rritje e ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Është rreth 35% rritje më shumë se në kohën kur ishim me LDK", ka theksuar ai.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se nëse Qeveria e ardhshme do t'i mbrojë temat që i ka mbrojtur qeveria e tij, do ta përkrahë, por ka thënë se AAK do të jetë opozitë e fortë ndaj asaj Qeverie që i shkel parimet e partisë së tij.

Ndërsa, për kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ai ka thënë se mban të njëjtin mendim për të, sikurse para zgjedhjeve.

"Ju e e dini, nuk po dojmë me prish vendimin e sovranit, sovrani ka vendos kujt me i jep besim. E dini mendimin tim për liderin e Vetëvendosjes. Mendoj që gjithë kjo është mashtrim dhe i mbetet qytetarëve me vlerësua. Shpresoj që jam gabim", ka theksuar Haradinaj.

Haradinaj po ashtu ka shprehur vullnetin e tij që rrugën politike me PSD-në ta vazhdojë, duke thënë se nuk u beson analizave që thonë se PSD e ka dëmtuar elektoralisht AAK-në.