Kosovë

Kosovë

Kurti takohet me Kosnettin, ia tregon planin për dialogun me Serbinë

Publikuar më 08 Tetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka takuar ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philipp Kosnett, në kohën kur numërimi i votave të zgjedhjeve të 6 tetorit po shkon drejt fundit e VV-ja po i afrohet fitores.

Në këtë takim, sipas njoftimit nga VV-ja, Kosnetti ka shprehur kënaqësinë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërsa ka treguar interesimin e veçantë në përparimin kundër korrupsionit dhe përparimin në dialog me Serbinë.

"Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon", thuhet në njoftimin e VV-së.

Në anën tjetër, Kurti ka treguar planin e tij për dialogun me Serbinë duke shpjeguar se planifikon që të nisë fillimisht biseda me serbët e Kosovës ndërsa më pas mendon të takohet me Përfaqësuesin e e ri të BE-së për Politikë të Jashtme.

"Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë. Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z.Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s'kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj", thuhet tutje në njoftim të VV-së.