Kosovë

Kosovë

Richard Grenell e Mathew Palmer sot në Kosovë e nesër në Beograd

Publikuar më 09 Tetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë - Serbi, Richard Grenell, të mërkurën dhe të enjten do të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd.

Nuk janë dhënë hollësi rreth takimeve që do të zhvillojë ai përveç njoftimit nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do ta pres zotin Grenell pas mesditës së të mërkurës.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett në një postim në twitter paralajmëroi se Kosovën do ta vizitojë edhe përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin, Mathew Palmer.

"Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe Serbinë në procesin e bisedimeve, kërkon punë në ekip: i dërguari i posaçëm presidencial Grenell dhe përfaqësuesi i posaçëm Departamentit të Shtetit, Matt Palmer së bashku në Berlin. Të dy do të vizitojnë Kosovën", shkroi ambasadori Kosnett, duke shpërndarë një fotografi të postuar nga ambasada amerikane ne Berlin, ku të dy zyrtarët e lartë amerikanë shihen teksa bisedojnë me zyrtarët gjermanë për situatën në Ballkan.

Pak ditë më parë presidenti Trump emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të muajit gusht, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo kishte emëruar zotin Mathew Palmer si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin.

Emërimi i tyre, ndonëse kishte nxitur pikëpyetje ndër shumë vëzhgues, u mirëprit në Kosovë ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset politike.

Vizita e tyre ndodhë në një periudhë kur në Kosovë po numërohen votat e fundit të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, në të cilat kryeson lëvizja Vetëvendosje, e cila ishte kritike e rreptë e mënyrës se si janë zhvilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

Këto bisedime janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidat për postin e kryeministrit, ka paralajmëruar se mund t'i heqë tarifat ndaj mallrave serbe, por do t'i zëvendësojë ato me "masat e reciprocitetit të plotë me Serbinë".

Diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Emërimi i të dërguarve amerikanë ka bërë që të hidhen ide që edhe Bashkimi Evropian të emërojë një të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë - Serbi, të cilat sipas praktikës së deritashme do të duhej të ndërmjetësohen nga Josep Borrell, ish ministër i jashtëm i Spanjës, një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës/VOA.