Kosovë

Kosovë

Petriçek: Republika Çeke nuk e rishikon vendimin për njohjen e Kosovës

Publikuar më 07 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, Tomas Petriçek, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë flet për refuzimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut nga Këshilli Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, për ndikimin rus në rajon e të tjera.

Petriçek ka folur edhe për njohjen e Kosovës, dhe deklaratat e presidentit çek, Millosh Zeman, se do të kërkojë nga Republika Çeke tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Petriçek thotë se Qeveria çeke nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj. Gjithashtu, ka shtuar se përpiqen të zhvillojnë marrëdhënie korrekte dhe pozitive me Kosovën.

Në të njëjtën kohë, thotë Petricek, Republika Çeke e mbështet edhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, për të tejkaluar të kaluarën dhe për të shikuar se si mund të jetojnë së bashku në Evropën e bashkuar.

REL: Z. Petricek, një valë skepticizmi mbizotëron në Ballkanin Perëndimor, pas vendimit të Këshillit Evropian për të shtyrë nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Cili është pozicioni i Republikës Çeke sa i përket zgjerimit të BE-së?

Petriçek: Vendi im e ka mbështetur procesin e zgjerimit si një nga politikat kryesore të Bashkimit Evropian. I kemi mbështetur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në synimet e tyre për t'u bërë anëtare të BE-së. Unë personalisht e konsideroj vendimin e Këshillit Evropian në tetor si dështim. Për ne është e rëndësishme tani t'i sigurojmë partnerët tanë në Ballkan se ne do të duam të punojmë me ta. Procesi është ende i besueshëm. Ne duhet ta bëjmë pjesën tonë të brendshme. Por, për ne është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes, angazhimet e tij ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut kanë bërë shumë përparim gjatë viteve të kaluara dhe ne duhet t'i inkurajojmë që të vazhdojnë dhe ta bëjnë rolin e Bashkimit Evropian në rajon të besueshëm.

REL: E quajtët dështim (shtyrjen e datës nga BE-ja). Cilat mund të jenë pasojat?

Petricek: Jemi në kontakt me të dyja vendet. Besojmë se përparimi do të vazhdojë. Të dyja vendet duhet të vazhdojnë me reformat. Në të njëjtën kohë vazhdojnë aktivitetet, takimet me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për t'iu shpjeguar se procesi dhe politika e zgjerimit është ajo që do të sjellë stabilitet dhe siguri në rajon, i cili tashmë është i rrethuar me vende të BE-së.

REL: Si e shihni idenë për një "partneritet të posaçëm" midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në vend të anëtarësimit të tyre të plotë?

Petriçek: Për Republikën Çeke, duhet të ketë perspektivë të besueshme të anëtarësimit. Ne besojmë se procesi i integrimit bazohet në merita, porse duhet të ketë përkushtim të fuqishëm në anën tonë, që këto vende, sapo t'i përmbushin të gjitha kushtet për anëtarësim, të lejohen brenda (BE-së).

REL: Zoti Petricek, presidenti çek, Millosh Zeman, ka premtuar se do të kërkojë nga Republika Çeke tërheqjen e njohjes së Kosovës. A po e shqyrtoni këtë ju dhe kolegët tuaj në qeveri?

Petriçek: Jo. Qeveria çeke nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj. Ne e kemi njohur Kosovën në vitin 2008 si shtet të pavarur dhe përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie korrekte dhe pozitive me Kosovën. Ne i mbështesim të gjitha vendet në rajon për t'u bërë anëtare të BE-së, sepse është në interes të stabilitetit dhe sigurisë evropiane, por po ashtu është edhe mënyrë për zgjidhjen e shumë problemeve lokale, shumë tensioneve rajonale. Në të njëjtën kohë e mbështesim edhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, për të tejkaluar të kaluarën dhe për të shikuar se si mund të jetojnë së bashku në Evropën e bashkuar.

Intervistën e plotë e gjeni në REL