Kosovë

Kosovë

Kërkohet që të mos emërohet shefi i ri i AKI-së pa u krijuar Qeveria e re

Publikuar më 09 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Edhe 16 ditë afat kohor i kanë presidenti e kryeministri ta zgjedhin shefin e ri të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Pozita vakante e shefit të AKI-së, pas dorëheqjes së Shpend Maxhunit, sipas Ligjit për AKI-në, duhet të plotësohet brenda 20 ditësh, shkruan sot Koha Ditore.

Burime të gazetës kanë thënë se presidenti Hashim Thaçi do të tentojë ta emërojë shefin e ri të AKI-së para se të krijohet Qeveria e re. Presidenca nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Megjithatë, partia fituese e zgjedhjeve të fundit, Vetëvendosje, ka thënë se shefi i ri i AKI-së duhet të zgjidhet pas krijimit të Qeverisë së re. Rexhep Selimi nga kjo parti ka deklaruar se nuk do të pranohet asnjë emërim në këtë kohë.

"Duke i ditur procedurat, një qeveri në largim nuk mund të vendosë për këtë pozitë", ka thënë ai. Ka shtuar se fillimisht publiku do të duhej ta dinte arsyen e vërtetë të dorëheqjes së Maxhunit.

"Ai nuk do të duhej të ishte fare në krye të këtij institucioni ose duhej të dorëhiqej pas skandaleve. Përderisa arsyeja e largimit nuk është bërë e ditur, ne nuk mund ta dimë cila është e vërteta. E nëse prapa arsyeve të tij ose të tjerëve fshihet motivi që të ndërrohet shefi para se të vijë Qeveria e re, atëherë një gjë e tillë nuk do të pranohet", ka thënë ai.