Kosovë

Kosovë

Në fund të muajit aktakuza ndaj të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit

Publikuar më 19 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Lidhur me ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarve për vrasjen e politikanit serb, si dhe për deklaratat e politikanëve shqiptarë se Oliver Ivanoviqi ka qenë kriminel lufte ka reaguar partia e tij, SDP.

Nëpërmes një reagimi për medie SDP-ja ka thënë se shqiptarët kanë paraqitur gënjeshtra sa i përket Ivanoviqit pa kurrfarë argumentesh. "Jemi tërësisht të indinjuar dhe të pezmatuar me të pavërtetat për kinse veprat kriminale të Ivanoviqit gjatë luftës. Këso deklaratash ka dhënë edhe kandidati potencial për kryeministër, Albin Kurti. Vrasja e Ivanoviqit është me karakter politik, vrasësit dhe ata që urdhëruan vrasjen e tij duhet të dalin para drejtësisë", thuhet në komunikatën e SDP-së, shkruan sot gazeta Zëri

Në anën tjetër kandidati për kryeministër Albin Kurti në një intervistë për gazetën malazeze "Pobjeda" ka kërkuar nga Serbia që t'ia dorëzojnë Kosovës Millan Radojçiqin, të dyshuarin kryesor për organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. "Vrasja e Oliver Ivanoviqit duhet të sqarohet, duhet të merren në pyetje të gjithë të dyshuarit dhe dëshmitarët, por edhe Serbia duhet ta dorëzojë në Kosovë Millan Radojiçiqin, njërin prej të dyshuarve kryesorë të këtij rasti. Dihet kujt i ka penguar Oliver Ivanoviqi dhe kush e ka likuiduar", ka thënë Kurti.

Muajin e kaluar Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person në veri të Mitrovicës lidhur me rastin "Ivanoviq", Rade Basara, polic, ndërkaq shefi i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës ka arritur të ikë në Mal të Zi. Duke përfshirë këta të fundit, tani janë 7 të dyshuar për këtë vrasje, që ka tronditur jo vetëm veriun, por edhe Serbinë: Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq, Millan Radojiçiq dhe Silvana Arsoviq. Menjëherë pas vrasjes Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte angazhuar avokatët Njazi Rexha dhe Jova Radoviq për këtë rast, ndërsa Ministria e Drejtësisë kishte pranuar një kërkesë të ministres së Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburoviq, për kyçjen e Serbisë në hetim, por që ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës kishte përjashtuar mundësinë që pushteti në Beograd të kyçet në rast.