Kosovë

Kosovë

Mohimi i krimeve të luftës përballë ligjit

Publikuar më 08 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Gjykata Themelore e Prishtinës, për herë të parë ka dënuar me burgim një politikan, i cili ka mbajtur funksione politike brenda institucioneve të larta të Kosovës, për shkak të nxitjes dhe përhapjes publikisht të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Kosovë, të cilat sanksionohen me Nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës.

Ivan Todosijeviq, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, më 5 dhjetor të këtij viti, është dënuar me 2 vjet burgim, për shkak se, siç thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, "duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës".

Memorial kushtuar të vrarëve në fshatin Marinë të Skenderajt. Foto nga arkivi.

Megjithatë, ky vendim është i shkallës së parë dhe kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Më 24 mars 2019, Todosijeviq, në një tubim të qytetarëve serbë në Zveçan kundër intervenimit të NATO-s, publikisht kishte thënë që "masakra e Reçakut ishte trillim" dhe që "terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë".

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë që, bazuar në aspektin juridik - penal, ngritja e aktakuzës ndaj Todosijeviqit dhe dënimi i tij, kanë bazë të plotë juridike, duke u bazuar në paragrafët e Nenit 147 të Kodit Penal Të Kosovës.

Sipas tij, çdo person i cili me veprimet e tij nxit dhe përhapë urrejtje kombëtare, racore apo fetare, konsiderohet se ka kryer vepër penale. Për më shumë, siç thotë ai, rrethanat janë edhe më rënduese kur një vepër të tillë e kryen një person që mban post politik, institucional dhe publik, duke e keqpërdorur pozitën e tij.

"Ka bazë se si është kualifikuar kjo deklaratë ( e Todosijeviqit), sepse është dhënë në mënyrë publike. Po të ishte dhënë në mënyrë jo publike, ta zëmë, në kafene, në banesë e të tjera, ajo nuk është vepër penale. Por, në mënyrë publike, qoftë drejtpërdrejt para opinionit publik ose përmes mediave, ajo është e inkriminuar si vepër penale e nxitjes së urrejtjes", thotë Salihu.

Ai shton që vepra penale, për të cilën është dënuar Todosijeviq, radhitet ndër veprat penale që e rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.

Avokati nga Kosova, Arianit Koci, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që lidhur me deklaratat e ish-ministrit Todosijeviq, ekzistojnë dy nivele të përgjegjësisë, ajo politike dhe ajo individuale.

Sipas tij, lidhur me përgjegjësinë politike, Todosijeviq, për deklaratën e dhënë, është shkarkuar nga kryeministri, tashmë në detyrë, Ramush Haradinaj. Ndërkaq, lidhur me përgjegjësinë individuale, siç thotë Koci, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në mënyrë të qartë i ka sanksionuar veprimet e kundërligjshme që ndërlidhen me Nenin 147.

Avokati Koci konsideron që deklarata e ish-ministrit Todosijeviq, "se masakra e Reçakut ka qenë një trillim i shqiptarëve terroristë", përmban elemente, të cilat e formësojnë veprën penale, për të cilën edhe është dënuar.

"Deklarata e tij e dhënë publikisht, si e tillë, nga pozita e ministrit, konsideroj se ka deformuar faktet që kanë ndodhur në luftën në Kosovë, ka përçuar përçarje dhe ka krijuar urrejtje mes dy etnive, në rastin konkret shqiptarëve dhe serbëve. Ky deklarim padyshim se më së shumti i ka goditur familjarët e viktimave në Reçak. Në këtë deklarim nuk kemi të bëjmë me mendimin ndryshe, apo lirinë e shprehjes", vlerëson Koci.

Në mesin e janarit të vitit 1999, forcat serbe kishin hyrë në fshatin Reçak, ku kishin vrarë 45 shqiptarë, banorë të këtij fshati. William Walker, atëherë si shef i Misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, këto vrasje i pati cilësuar si "krim kundër njerëzimit".

Ngjarja në Reçak pati ngjallur reagimet e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ofroi një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Refuzimi nga ana e Serbisë e një marrëveshjeje që do ta ndalte spastrimin etnik në Kosovë nga forcat serbe, çoi në ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet serbe.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar lidhur me dënimin e Teodosijeviqit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, duke e cilësuar si vendim "të tmerrshëm".

Sipas tij, Todosijeviq, kishte thënë të vërtetën, që krimi në Reçak, në janar të vitit 1999, siç tha ai, ishte i fabrikuar.

"Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën dhe këtë po e përsëris edhe unë, pra, krimi në Reçak është i fabrikuar, ku gjithçka është falsifikuar nga ai mashtruesi i botës, hajni dhe gënjeshtari (William) Walker", ka deklaruar Vuçiq.

Ndaj deklaratës së Vuçiqit, ka reaguar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Presidenti Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter tha se "paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve"

I see officials from #Serbia denying some of the worst crimes against civilians that happened in Europe, confirmed by ICTY, like #Reçak. Serbian genocidal policies cannot be defended. They must be denounced. Peace, reconciliation, justice cannot be built based on denying crimes.

Edhe kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të Vuçiqit. Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ai ka theksuar që qëndrimi i Vuçiqit, i shprehur përmes deklaratës së tij, "dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit".

"Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj", ka shkruar Haradinaj.

Lidhur me deklaratën e presidentit serb Vuçiq, kanë reaguar edhe autoritetet e Bashkimit Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka thënë që autoritetet duhet të punojnë për një vlerësim të ndershëm dhe të vërtetë të së kaluarës për respektimin e viktimave.

"Një gjë është e qartë, nuk ka vend për të mohuar ose relativizuar ngjarjet që ndodhën në Reçak, në Kosovë, në janar të vitit 1999. Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian", ka thënë Pisonero, duke shtuar se rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

Avokati nga Kosova, Tomë Gashi, më 6 dhjetor, ka ngritur kallëzim penal ndaj presidentit serb, në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Siç ka shkruar avokati Gashi në rrjetin social Facebook, kallëzimin penal ndaj presidentit Vuçiq e ka ngritur "për veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga Neni 147 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës".

Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, sipas profesor Salihut, jo rrallë janë mohuar publikisht nga politikanë të caktuar, kryesisht ata serbë. Lidhur me sanksionimin e këtyre mohimeve, siç thotë ai, ekziston një lloj zbrazëtie në Kodin Penal të Kosovës.

Ndërkaq, profesor Salihu thotë që në të Drejtën Penale Ndërkombëtare, por edhe në Kodet Penale të disa shteteve, siç janë për shembull: Gjermania, Polonia, por edhe Maqedonia e Veriut, mohimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit janë paraparë si vepra penale të veçanta.

Siç thekson ai, Tribunali Ndërkombëtar për krimet e luftës në ish- Jugosllavi, me seli në Hagë, ka konstatuar që në Kosovë janë kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, si dhe disa persona përgjegjës për këto krime janë dënuar.

"Kështu që, në këtë aspekt, duhet që në mënyrë urgjente të bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Kodit Penal të Kosovës, në të cilin duhet të parashihet vepra penale e veçantë, specifike, e cila do ta mbante titullin mohimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Kjo do të ishte bazë edhe më e qëndrueshme, e posaçme, specifike, me të cilën do të inkriminoheshin, do të ndëshkoheshin personat, të cilët i mohojnë këto krime", vlerëson Salihu.

Edhe avokati Koci shpreh mendimin që nevojitet ndryshimi dhe plotësimi i ligjit, ku do të futej dispozita, me të cilën do të sanksionohej mohimi i krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit.

"Unë besoj që ndryshimet dhe plotësimet në ligj duhet të bëhen, por për rastin konkret (të Todosijeviqit), gjykata e ka pasur bazën e mjaftueshme për dënimin e ish-ministrit", thekson Koci.

Profesor Salihu dhe avokati Koci theksojnë që deri më tani kemi pasur edhe deklarata të tjera të politikanëve, por edhe individëve të caktuar, të cilat kanë mundur të kualifikoheshin si veprime që bien ndesh me Nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës, por, megjithatë, nuk ka pasur as ndjekje e as dënime nga ana e gjykatave.