Kosovë

Kosovë

Kryeprokurori i Shtetit dhe ambasadorja e Francës biseduan për sundimin e ligjit në Kosovë

Publikuar më 12 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Prishtinë, 12 dhjetor - Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka pritur në takim njoftues ambasadoren e re të Francës në Kosovë, Marie - Christine Butel.

Në njoftimin për media rreth këtij takimi, theksohet se kryeprokurori Lumezi e ka informuar ambasadoren Butel për punën dhe të arriturat e Prokurorit të Shtetit në luftimin e veprave të ndryshme penale që ndërlidhen me korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, ngrirjen dhe sekuestrimin e pasurisë së fituar me anë të veprave penale, si dhe luftimin e të gjitha formave të tjera të krimit në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, Kryeprokurori i Shtetit ka folur edhe për objektivat e institucionit që udhëheq, më qëllim të rritjes së efikasitetit në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

Në anën tjetër, ambasadorja Butel ka vlerësuar punën e Prokurorit të Shtetit, duke ofruar mbështetjen e vendit që përfaqëson për ta ndihmuar sistemin prokurorial të Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Ambasadës së Francës në Kosovë, si dhe kanë theksuar nevojën e thellimit dhe avancimit të bashkëpunimit ndërinstitucional edhe në të ardhmen, më theks të veçantë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në mes të institucioneve të drejtësisë kosovare dhe atyre franceze, në luftimin e të gjitha veprave kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë e të dyja vendeve.

Në fund të takimit, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka falënderuar ambasadoren Marie - Christine Butel për vizitën dhe interesimin e treguar për sistemin prokurorial, duke e vlerësuar mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Francës dhënë institucioneve të drejtësisë në Republikën e Kosovës.