Kosovë

Kosovë

Për herë të katërt mbahet maratona "Bëhu Baba dimër, jepi buzëqeshje një familje"

Publikuar më 15 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Me moton "Bëhu Baba dimër, jepi buzëqeshje një familje", sot do të mbahet edicioni i katërt i minimaratonës humanitare në Prishtinë.

Në maratonë qytetarët do të vrapojnë me veshje të Baba dimrit, veshje të cilat janë blerë tek organizatorët e këtij aktiviteti dhe të hollat nga shitja janë të destinuara për familjet në nevojë.

Ky aktivitet i fundvitit po realizohet tash e 4 vjet me qëllim që t'iu dilet sadopak në ndihmë familjeve të varfra, e që në këtë vit do të përfitojnë rreth 700 sosh.

Organizatori i këtij aktiviteti, Jusuf Islami tha për KosovaPress se janë shumë të kënaqur që iniciativa e tyre po gjen mbështetje nga qytetarët. Ai kujton se herën e parë, kur ishte mbajtur ky lloj aktiviteti, ishin ndihmuar 60 familje, derisa këtë vit ky numër do të jetë dukshëm më i madh, ku do të përfitojnë rreth 700 familje në nevojë.

Risi e maratonës këtë vit, sipas Islamit, është edhe pjesëmarrja e fëmijëve nga Handikos dhe Fshatit SOS, ndërsa u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që t'i bashkohen maratonës, në mënyrë që të ndihmojnë sa më shumë familje në nevojë.

Ndryshe, Kosova është njëra nga 60 shtetet e botës që organizon aktivitetin e vrapimit të Baba dimrit për bamirësi.