Kosovë

Kosovë

Ambasadori Grenell viziton këtë javë Prishtinën dhe Beogradin

Publikuar më 22 Janar 2020

Artikuj të ngjashëm

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell do të vizitojë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin, kanë konfirmuar zyrtarët e kësaj ambasade për Radion Evropa e Lirë.

Tash për tash, REL-it i është konfirmuar që Grenell, i cili është edhe i dërguari special i Presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet paqësore Kosovë - Serbi, të enjten do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se do të takohet me Grenell në mëngjesin e të premtes në Beograd. Vuçiq ka thënë për televizionin publik serb nga Forumi Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme që t'i dëgjojnë kërkesat dhe problemet e Beogradit lidhur me Kosovën.

Grenell do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë disa ditë pasi ka ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy palëve me kompaninë gjermane "Lufthansa" për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë - Beograd.

SHBA e cilëson historike, kurse BE-ja "e befasuar" me marrëveshjen

Ambasadori amerikan Grenell ka qëndruar në Kosovë në tetorin e vitit 2019, kur është takuar me Thaçin si dhe me liderët e tjerë politikë në Kosovë. Nga presidenca e Kosovës, patën thënë aso kohe se Grenell ka deklaruar që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vendosë bazën për zhvillim ekonomik dhe do t'i kontribuojë mirëqenies së gjithë qytetarëve.

Në bisedimet me Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatarin për qeverinë e re, Grenell pati theksuar se mungesa e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pengesa kryesore për investimet e huaja në ekonominë e Kosovës.