Kosovë

Kosovë

Negociatat në prag të dështimit

Publikuar më 29 Janar 2020

Artikuj të ngjashëm

Në prag të dështimit janë negociatat për arritjen e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike. Palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e ngurta as pas takimit, që u konsiderua vendimtar, dhe i cili u mbajt me prezencën e ambasadorëve të QUINT-it dhe shefes së Zyrës së BE-së.

Asnjëra prej subjekteve nuk i ka shpallur të dështuara negociatat dhe nuk ka përjashtuar takimet e radhës, një javë para skadimit të afatit kushtetues për mandatarin e Qeverisë, Albin Kurti, shkruan sot "Koha Ditore".

Pas takimit gati katërorësh në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka dalë me kumtin se nuk ka marrëveshje.

Sipas tij, VV-ja nuk pranon ujdi të stilit "merre ose lëre".

"Nuk ka përafrim të pozicioneve mes dy subjekteve. Ne i kemi dhënë dy propozime prejse kemi dërguar emrin tim tek presidenti për mandatarin, mirëpo për marrëveshje nevojitet pajtim i dyanshëm. Nuk mund të bëjmë marrëveshje merre ose lëre", ka thënë Kurti, sipas të cilit gjysma e takimit ishte përkthim për ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e Bashkimit Evropian.