Kosovë

Kosovë

Intrigat e vizitës në Tiranë — Si iu hakmorrën Kurti e Rama njëri-tjetrit

Publikuar më 12 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Edi Rama e befasoi Albin Kurtin të martën në Tiranë, duke ia nxjerrë Gent Cakajn, ish-aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me ministra tjerë për ta pritur. Kurti përshëndeti kryediplomatin Cakaj, por menjëherë pasi u kthye në Prishtinë i çoi mesazh homologut të tij, se vizita "nuk ishte politikë e jashtme".

Por, sa ishte atje, as Kurti nuk e la pa ia bërë një sherr kryeministrit të Shqipërisë, Rama. Ai refuzoi të shkojë te kryetari i kryeqytetit të Shqipërisë, Erion Veliaj, për ta marrë Çelësin e Tiranës, një qëndrim ky i nxitur me gjasë edhe nga Vetëvendosje e Tiranës.

E, vizita në Tiranë kishte edhe momente tjera bizare.

Ministrja shqiptare e Arsimit, Besa Shahini, që është bashkëshortja e Dardan Molliqajt, që dikur ishte si një sozi e kreut të VV'së, kryeministrin e Kosovës e përshëndeti si të ishte në të pame, apo ceremoni morti.

Hiç më ngrohtë nuk ishte as raporti mes vetë Ramës e Kurtit.

Ata u përplasën direkt për "minishengenin", por përplasjet më të ashpra ndodhën prapa kamerave.

Për ta zhdukur komplet kiminë e vizitës, Rama ishte kujdesur që i pari që do t'ia jepte dorën Kurtit të ishte Cakaj, emërimin e të cilit në krye të diplomacisë shqiptare e ka kundërshtuar Vetëvendosje.

E, si kundërshtim ndaj këtij veprimi, Kurti zgjodhi ta bojkotojë takimin me Veliajn, dhe refuzimin për ta marrë Çelësin e Tiranës.

Por, për Cakajn, duket se Kurti është hatëruar më së shumti.

Këtë e ka përmendur Kurti në një postim të tij, kur ka rekapituluar vizitën në Tiranë.

Lexojeni të plotë postimin:

Ishte vizita e parë si kryeministër jashtë Republikës së Kosovës, por nuk ishte politikë e jashtme. Ishte ceremoniale, por nuk ishte thjesht simbolike. Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë.

E falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm. Prej takimeve institucionale e marrëveshjeve mes Kosovës e Shqipërisë, jam i sigurt se shumë shpejt do të burojë një intensitet i ri bashkëpunimi ekonomik e arsimor, prandaj sot më shoqëruan në takim ministri i Financave, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami. Këto janë fusha ku afrimi i Shqipërisë me Kosovën nuk toleron asnjë vonesë e pengesë.

U dakorduam të krijojmë komisionin ndërshtetëror i cili i analizon ecurinë e 77 marrëveshjeve mes të dy vendeve tona dhe në fund të marsit, në Shkodër, kur të takohen dy Qeveritë tona të trajtojmë ecurinë e punës së deritashme e të përcaktojmë punën e re që duhet të bëjmë.

Takime të përzemërta e vëllazërore patëm edhe me presidentin, Ilir Metën, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, të cilët më përcollën urime për detyrën e re, e unë u shpreha nevojën për ndihmë e mbështetje. Shqipëria është e gatshme të kontribuojë për Kosovën, e Kosova është plot entuziazëm për një bashkëpunim të tillë. Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri.

Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri. Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë.