Kosovë

Kosovë

Thaçi: Marrëveshja për hekurudhat është mesazh që rajoni do të ketë paqe

Publikuar më 14 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për hapjen e linjës hekurudhore para pak çastesh në Munih.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo marrëveshje është një hap tjetër i arritjeve të Kosovës për zhvillim ekonomik.

Ai gjithashtu ka shprehur falënderime për Administratën Trump për përpjekjet e tyre në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve të Ballkanit Perëndimor.

"Ambasadori Grenell të falënderoj për punën e shkëlqyer për këtë marrëveshje. Është një hap tjetër i arritur i progresit pas marrëveshjes së linjave ajrore Prishtinë-Beograd", ka thënë ai.

Sipas tij, marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës dhe sipas tij, kjo është ajo çka ju duhet njerëzve në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

"Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe Administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tonë", ka thënë ai./rtk/

10:00

Nënshkruhet marrëveshja për rivendosjen e linjës hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

Nënshkrimi i letrave të interesit ndodhi pak para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Këto marrëveshje, u arritën me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe ambasadori Richard Grenell.

Paraprakisht, po nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, të dy shtetet kanë nënshkruar edhe marrëveshjen për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Me anë të letrave të interesit, që paraqet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këto shtete shprehin gatishmërinë për hapjen e mundësive për ndërlidhjen rrugore e hekurudhore ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të ndërlidhjes së këtij rajoni me Evropën.

Ambasadori Grenell, është zotuar se në misionin e tij ndërmjetësues, do të fokusohet që Prishtina dhe Beogradi t'i tejkalojnë çështjet e hapura nga fusha e ekonomisë, në mënyrë që të vazhdohet tutje drejt arritjes së një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila sipas tij do të ishte e domosdoshme që Kosova dhe Serbia të krijojnë një ekonomi të qëndrueshme dhe joshëse për investimet nga jashtë.

08:16

Sot pritet të nënshkruhen letrat e shprehjes së interesit Kosovë Serbi për hekurudha dhe autostrada

Letra e shprehjes së interesit për autostrada dhe letra e shprehjes së interesit për hekurudha me të cilat Kosova dhe Serbia shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin me BE-në pritet të nënshkruhen paraditen e sotme, para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, njëkohësisht edhe i dërguari i Presidentit amerikan Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosova dhe Serbia do të nënshkruajnë letrat me të cilat shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore e rrugor që lidhin kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me njëri tjetrin dhe tutje me Evropën.

Para një muaji, palët kanë nënshkruar nga një letër të shprehjes së interesit për hapjen e korridorit ajror në mes të Prishtinës dhe Beogradit.