Kosovë

Kosovë

Nesër seanca për rrëzimin e qeverisë Kurti

Publikuar më 24 Mars 2020

Artikuj të ngjashëm

Burime të besueshme të Objektiv.live konfirmojnë se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur tashmë që seanca e kërkuar nga 44 deputetë, me iniciativën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për ta rrëzuar qeverinë e Kosovës, të mbahet nesër, ndërsa ka mbetur të zgjidhen modalitetet teknike të organizimit të saj, duke respektuar të gjitha udhëzimet e institucioneve shëndetësore për shkak të rrezikut nga përhapja e pandemisë COVID 19.

Anëtarët e kryesisë janë duke diskutuar për lokacionin ku do të mbahet seance, për të respektuar rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik (IKSHP) për të evituar shpërndarjen e koronavirusit.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës është propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe mbështetur nga 44 deputetë.

Me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar një rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) nëse kjo seancë mund të zhvillohet në kontekst të gjendjes së krijuar shkaku i pandemisë Covid 19.

IKSHP-ja, ndërkaq në një përgjigje me shkrim, ka theksuar se nuk ka komptencë për të udhëzuar mënyrën e veprimit të institucioneve kushtetuese, por ka shprehur gatishmëri për tam bështetur zhvillimin e seances, nëse një gjë e tillë i kërkohet Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci, është përpjekur ta shmangë zhvillimin e seancës. Ajo ka theksuar se nuk ka kushte për zhvillimin e seancës së Kuvendit të Kosovës. Sipas tyre, seanca për votimin e mocionit të mosbesimit duhet të shtyhet deri pas qetësimit të situatës së krijuar nga Covid 19.

Ndërsa, LDK-ja dhe partitë opozitare, që kanë mbështetur mocionin e mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja, kanë theksuar se seanca duhet të zhvillohet dhe kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje është përpjekje e saj për të shtyrë rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga kryetari i saj, Albin Kurti. Sipas Kushtetutës, seanca për mocionin duhet të mblidhet jo më afër se dy ditë dhe jo me larg se pesë, që nga koha e paraqitjes së kërkesës. 44 deputetë të Kuvendit, që të premten e javës së kaluar kanë dorëzuar kërkesën për seancë.

Proceduralisht, seanca do të duhej të zhvillohej, më së largu të mërkurën e kësaj jave. LDK-ja dhe të gjitha grupet parlamentare opozitare, janë shprehur se do të votojnë për rrëzimin e qeverisë Kurti. Votën kundër rrëzimit të qeverisë, përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë paralajmëruar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli, deputetë të LDK-së. Por, bazuar në numrin e votave, mocioni i inicuar nga LDK-ja pritet të votohet, duke shkaktuar rrëzimin e qeverisë, më pak se 50 ditë pas krijimit.