Kosovë

Kosovë

Gjykata Kushtetuese pritet ta pezullojë sot vendimin e qeverisë

Publikuar më 25 Mars 2020

Artikuj të ngjashëm

Burime të besueshme të Objektiv.live kanë konfirmuar se pas opinioneve që i kanë dërguar presidenca, qeveria dhe Avokati i Popullit, Gjykata Kushtetuese sot do të vendos për pezullimin e vendimit të qeverisë për kufizimin e lirisë së lëvizjes, me çka do të anulohej edhe kufizimi i lirisë së lëvizjes prej orës 10.00 deri në orën 16.00 dhe prej orës 20.00 deri në orën 06.00 të ditës pasuese.

Një vendim të tillë e ka paralajmëruar edhe avokati Arianit Koci, gjatë një emisioni në KTV. "Gjykata Kushtetuese sot do të marrë vendim për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve", tha Koci.

Burimet e Objektiv.live, ndërkaq pohojnë se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sot do të votojnë për vendosjen e masës së përkohshme ndaj vendimit, ashtu siç ka kërkuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka apeluar vendimin e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Ndërkaq, verdiktin përfundimtar nëse vendimi i qeverisë është në përputhje me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese pritet ta marr disa ditë më vonë, meqë palët kanë dy ditë kohë për të ofruar argumentet shtesë në mbështetje të pretendimeve të tyre.

Kufizimi i lirisë së lëvizjes ka filluar të zbatohet të martën, pasi qeveria e Kosovës vendosi të hënën në mbrëmje ta marrë këtë masë në kuadër të përpjekjeve për frenimin e përhapjes së pandemisë COVID 19.

Por, vendimi i qeverisë hasi në kundërshtimin e Presidentit të Kosovës dhe partive politike, përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila udhëheqë me qeverinë.

Presidenti Hashim Thaçi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi, si dhe ka kërkuar masë të përkohshme.

Dje Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi se ka pranuar kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për "vlerësimin e çështjes së përputhshmërisë së Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë".

Po ashtu, Gjykata njoftoi se kërkesë e presidentit është që ajo të "vendosë masë të përkohshme ndaj çështjes së ngritur, deri në vendimin përfundimtar". /Objektiv/