Kosovë

Kosovë

Dënohet me kusht i akuzuari për rrezikim të trafikut publik

Publikuar më 22 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 8 muaj burgim me kusht, të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Qenan Maxhuni.

Sipas aktgjykimit të shpallur të premten, nga gjykatësi Alban Ajvazi, të akuzuarit nuk do t'i ekzekutohet dënimi me burgim nëse nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën prej dy vite, raporton "Betimi për Drejtësi".

Po ashtu i akuzuari Maxhuni është ngarkuar edhe me pagesën e paushallit gjyqësor në shumën prej 30 euro, kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro, ekspertizën mjekoligjore në shumën prej 20 euro si dhe ekspertizën e komunikacionit rrugor në shumën prej 40.88 euro.

Ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.Gjykatësi Ajvazi bëri të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe i akuzuari Maxhuni kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 20 nëntor të këtij viti.Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 19 gusht 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Qenan Maxhunit, për veprën penale "rrezikim i trafikut publik" nga neni 378, paragrafi 8 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 31 mars 2015, në rrugën "Agim Ramadani" Prishtinë, duke lëvizur në drejtim të QKUK-së, saktësisht përballë Ministrisë së Arsimit, duke drejtuar automjetin e tipit "VW Passat 3C", nga pakujdesia, ka rrezikuar jetën e njerëzve në atë mënyrë që e ka shkelur nenin 150.1 të Ligji për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, ashtu që nuk i ka dhënë përparësi kalimi këmbësor në vendkalim për këmbësor, me ç'rast e godet këmbësoren të dëmtuarën Nazife Aliu, e cila nga goditja pëson lëndime të rënda trupore.