Kosovë

Kosovë

Haradinaj e Krasniqi intervistohen sot në Hagë

Publikuar më 24 Korrik 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të merret sot në pyetje nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Kosovë. Haradinaj udhëtoi drejt Hagës, ku edhe vepron Prokuroria, të martën, katër ditë pasi dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, për shkak të, siç tha, ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Po ashtu, edhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-zëdhënësi Jakup Krasniqi, sot do të paraqitet tek e njëjta Prokurori e cila vepron në Hagë.

Të dy ish-liderët e UÇK-së udhëtuan dje drejt Holandës. Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që i trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.

Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së dhe kjo është hera e dytë që ai jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit për t'u përballur me drejtësinë në Hagë. Hera e parë ka ndodhur në vitin 2005, kur është akuzuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat që lidhen me luftën: në vitin 2008 dhe pastaj në rigjykim të pjesshëm, më 2012.

Pak para nisjes drejt Hagës, dje Haradinaj tha se po shkon me nder dhe se s'do t'i ndërrojë qëndrimet që kishte për Kosovën e territorin e vet, asnjëherë.

Derisa, Krasniqi, nuk ka treguar se në çfarë cilësie do të shkojë.