Kosovë

Kosovë

Hoti: Po na shesin moral politik, ata që gjuajtën gaz e përdorën dhunë

Publikuar më 13 Mars 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit tha se kjo formë e funksionimit nuk duhet të vazhdojë më tutje.

Seanca është ndërprerë pasi që në mungesë të votave nuk është arritur të miratohen rekomandimet e partive opozitare të dala pas debatit të zhvilluar në interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj rreth vendimit të tij për ngritjen e pagave për veten dhe kabinetin e tij.

Hoti tha se është e pasinqertë dhe hipokrizi që ata të cilët sa ishin në opozitë kanë gjuajtur gaz lotsjellës, të dalin në foltore dhe të flasin për moralin e sjelljes politike të opozitës.

"Shumica parlamentare duke parë se nuk i kanë votat e nevojshme, për të vendosur çfarëdo çështje në Kuvend, vendosin të mos marrin pjesë fare në votim. Normalisht në këtë situatë të re,  seanca dhe Kuvendi nuk mund të vazhdojë normalisht me punime. Është e pasinqertë, është hipokrizi e madhe që edhe kryetari i Kuvendit dhe kryeministri dalin në foltore aty, i lëshojnë fraza për moralin e sjelljes politike të opozitës, ndërkohë që kur vet kanë qenë në opozitë ka gjuajtur gaz lotsjellës, ka përdor dhunë, i ka përdor të gjitha metodat jo parlamentare, jo demokratike, për të bërë opozitë. Ne e kemi fuqinë politike, për të bërë opozitë me numra dhe fuqinë që kemi. Ata i instruktojnë deputetët e vet të PDK dhe AAK që të mos marrin pjesë në procesin e votimit, në mënyrë që të pamundësohet kuorumi i nevojshëm për të marrë vendime. Kjo formë e funksionimit të kuvendit nuk duhet të vazhdojë më tutje, duhet kuvendi sa më parë të mblidhet për të votuar demarkacionin për të përmbyll atë çështje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Rrugë tjetër nuk ka", tha Hoti.

Ndërkaq deputeti i Nismës Milaim Zeka tha se bllokada e opozitës është e qëllimshme. Ndërsa tha se edhe deputetët e pozitës po tregohen shumë të papërgjegjshëm, të cilët duhet të japin dorëheqje, pasi që nuk po marrin pjesë në seanca.

"Ne si Nismë së bashku me shefin e grupit tonë parlamentar Bilall Sherifi, shkuam te Avdullah Hoti dhe biseduam për të kaluar rezoluta. Por kushti ynë ishte që me u heq pika ku kërkohet bllokimi i rritjes së rrogave. Për arsye se çështja ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo nuk ka kuptim. Prandaj bllokada është nga ana e opozitës shumë e qëllimshme. Ndërsa vërejtja ime për pozitën është se deputetët e pozitës janë shumë të papërgjegjshëm. Ata deputet të cilët nuk marrin pjesë në seanca, nuk di pse nuk japin dorëheqje nga pozita e deputetit. Ne si pozitë nuk mund të presim që opozita me na i ba kuorumin dhe me na ba numrat. Është njëfarë loje e dyanshme dhe sinqerisht nuk po e kuptoj logjiken e opozitës, si mundet opozita me kërku diçka mbi Gjykatën Kushtetuese. Gjykata kushtetuese është organi më i lartë legjislativ. Dhe jemi në një bllokadë totale të parlamentit", tha Zeka.

Ndryshe seanca e sotme është shtyrë për nesër pasi që nuk kishte kuorum sepse partitë opozitare kanë bojkotuar seancën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli u takua me shefat e grupeve parlamentare për t'u pajtuar për mbarëvajtje të seancës por u nuk u arrit një pajtim që punimet të vazhdojnë.