Kosovë

Kosovë

Kurti: Jam koordinuar me LDK’në për heqjen e tarifës

Publikuar më 27 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot, në një konferencë për media, vendimin e qeverisë që udhëheq për heqjen e pjesshme të tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina.

Kurti ka thënë se për vendimin e marrë është dakorduar paraprakisht me partnerin e Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisjen e vendit, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se e ka njoftuar zëvendëskryeministrin e parë të vendit, Avdullah Hoti, për shpalljen e vendimit.

"Në vija të trasha e kam njoftuar se sot do të dal me qëndrimin sa i përket reciprocitetit në njërën anë, dhe heqjes së tarifës 100 për qind për lëndën e parë që vjen nga Serbia, në anën tjetër", ka thënë Kurti.

"Ne, me konceptin e reciprocitetit, kemi garuar në shtator dhe tetor të vitit kaluar. Kemi fituar më 6 tetor, e kemi përfshirë në programin e qeverisjes së përbashkët si partnerë të koalicionit në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar", është shprehur ai.

"Është politikë e jona. Është princip i rregullimit të raporteve të shëndosha", ka deklaruar Kurti.

"Edhe nga takimi që kam pasur sot, edhe me bashkëpunimin e deritanishëm, natyrisht që jemi të harmonizuar dhe jemi bashkë", ka shtuar Kurti.

"E theksoj edhe njëherë që hapin e parë po e bëjmë ne, gjestin e parë të vullnetit të mirë po e bëjmë ne, duke hequr tarifën...", ka thënë ai më tej.

Kurti ka njoftuar se ministrit të Financave dhe Transfereve i ka "dhënë detyrë që nga Doganat e Kosovës të marrë të gjitha kodet doganore të lëndës së parë që importohet nga Serbia, që të njëjtat të mos e paguajnë më tarifën 100 për qind".