Kosovë

Kosovë

Kurti u pajtua me Grenell për nevojën e krijimit të shpejtë të Qeverisë

Publikuar më 09 Tetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në Ambasadën e re të ShBA-ve në Prishtinë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u takuan të mërkurën me Ambasadorin Amerikan në Gjermani, Richard A. Grenell dhe Ambasadorin Amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, me të cilët është dakorduar për nevojën e krijimit të shpejtë të Qeverisë, ka njoftuar Zyra për Shtyp e Vetëvendosje, nëpërmes një komunikate për media.

"Në takimin e hapur e konstruktiv, bashkëbiseduesit u pajtuan që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re në Kosovë dhe se do të vazhdojnë komunikimin e shpeshtë e të rregullt.....Grenell ka thënë se mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare", thuhet në komunikatë.

Ambasadori Grenell e ka uruar Kurtin për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dielës së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd.

Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti ka thënë që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të.

"Ai u pajtua me Ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka", thuhet në komunikatën e Vetëvendosje. (kosovain.eu)