Kosovë

Kosovë

Lansohet platforma U-Report për të rinjtë e Kosovës

Publikuar më 16 Maj 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka lansuar platformën U-Report për Ballkanin Perëndimor, Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, që është një iniciativë për promovimin dhe lehtësimin e angazhimit të të rinjve në të gjitha fushat e jetës dhe proceset vendimmarrëse.

Të rinjtë kosovarë mund të bëhen pjesë e U-Reporter përmes kodit QR në aplikacionin Viber, ku gjatë ditës së sotme është lansuar anketa e parë e cila përqendrohet në kërkesat e të rinjve.

Anketa mban emrin "Angazhimi i rinisë" dhe ka gjithsej pesë pyetje të shkurtra, të cilat u dërgohen të rinjve përmes Viberit dhe për çdo javë të rinjtë do të kenë pyetje të ndryshme.

Drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, Afshan Khan, tha se platforma e lansuar sot është prezente në 42 shtete të ndryshme nëpër botë dhe është pa pagesë, e mbi të gjitha është edhe anonime.

"Të rinjtë në Prishtinë, Tiranë dhe në Podgoricë do t'i bashkohen më shumë se 5 milionë abonentëve të platformës E-Report. Do të keni një angazhim online i zhvilluar nga UNICEF, i cili ju ndihmon në reagimin apo filmimin e çështjeve, një mjet që ju përkrah dhe ju mundëson pjesëmarrjen e juaj në përputhje me prioritetet e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe objektivave të Bashkimit Evropian. Kjo platformë është pa pagesë, është anonime, e hapur për të gjithë që ndërlidh të rinjtë në mënyrë që të mësoni të ndani përvojat e juaja me njëri tjetrin dhe t'i celebroni vlerat kulturore", tha ajo.

Shefi i misionit të UNICEF-it në Kosovë, Barando Co, deklaroi se kjo platformë do të ndihmojë të rinjve që të shtrojnë të gjitha çështjet që i brengosin.

"Kjo është një platformë që ju ndihmon juve që t'i sjellni të gjitha çështjet që ju brengosin juve dhe faktikisht ndihmoni në influencimin e agjendave politike qoftë në fushën e arsimit, shëndetësisë. Zëri juaj është i rëndësishëm, kështu që është koha mundësia juaj që të shfrytëzoni këtë mundësi", tha ai.

Mbështetje për fondin U-Report ka dhënë edhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Rexhep Hoti, i cili ka thënë se të rinjtë po e lënë Kosovës, prandaj sipas tij institucionet duhet të angazhohen që të krijohen kushte që të rinjtë t'i zhvillojnë aktivitetet e tyre.

"Kosova pa rininë ka mbetur pa zhurmë, Kosova pa rininë ka mbetur pa aktivitete, Kosova pa rininë ka mbetur shumë e manipuluar politikisht dhe kur njerëzit e rinj manipulohen bëhen të rrezikshëm. Kosova dhe politika në veçmas duhet t'i kthehen me përgjegjësi konkrete rinisë së Republikës së Kosovës. Ajo duhet ta gëzoj lirinë e saj në familje, në institucione, në shtëpi, në rrugë në mundësinë për të pasur dhe për t'i zhvilluar aktivitetet që i ka", u shpreh ai.

Gjatë lancimit të platformës, disa U-reporterë nga Ukraina përmes lidhjes direkt u kanë bërë thirrje të rinjve kosovarë që të angazhohen në të gjitha fushat e jetës dhe proceset vendimmarrëse. Po ashtu, ata potencuan se të rinjtë kanë mundësi që 'ta ndryshojnë vendin e tyre vetëm me një gisht'.