Kosovë

Kosovë

Me Ligjin e ri, kryeshefi i ASK-së do t'i përgjigjet Kuvendit

Publikuar më 16 Maj 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka mbajtur sot dëgjim publik, lidhur me Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Në fillim të takimit, Nait Hasani, kryetar i komisionit, bëri të ditur se lidhur me plotësim- ndryshimin e këtij ligji janë mbajtur takime me EUROSTAT-in dhe me të gjitha grupet e interesit. Me këtë rast, ai theksoi se nga kjo mbledhje do të merren në konsideratë të gjitha vërejtjet dhe propozimet nga akterët relevantë.

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, gjatë fjalës së tij, tha se gjatë zbatimit të ligjit ekzistues është parë e nevojshëm plotësim-ndryshimi i tij. Krasniqi informoi se nga EUROSTAT-i dhe akterë tjerë relevantë, janë marrë rekomandimet për ndryshim të ligjit në dy nene: nenin 5, përmes të cilit parashihet që ASK-ja të jetë institucion i pavarur që vepron në kuadër të Kuvendit të Kosovës, si dhe të nenit 8, në të cilin parashihet që Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së për punën e vetë t'i përgjigjet drejtpërdrejt organit përkatës të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Krasniqi kërkoi mbështetjen e komisionit lidhur me rekomandimet, duke u konsideruar se ASK-ja është prodhuese e të dhënave lidhur me zhvillimin ekonomik, të zhvillimeve politike, të drejtësisë, popullsisë etj. Po ashtu, ai pohoi se përmes këtyre rekomandimeve, synohet qasja e drejtpërdrejtë te deputetët, duke i ndihmuar Kuvendit me të dhënat statistikore.

Kryetari i komisionit, Nait Hasani, e falënderoi përfaqësuesin e ASK-së për pjesëmarrje dhe dhënien e rekomandimeve. Ndërkaq, deklaroi se të gjitha propozimet e dërguara me shkrim do të merren në shqyrtim.