Kosovë

Kosovë

Në Prishtinë mbahet konferenca rajonale policore

Publikuar më 17 Maj 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Përfaqësuesit e policisë së Shqipërisë, Kroacisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Sllovenisë dhe Kosovës do të marrin pjesë në një Konferencë Rajonale dy-ditore të drejtuesve të Policive në Prishtinë.

Kjo konferencë, nikoqir i të cilës është ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Naim Rexha dhe i ndihmuar nga Misioni EULEX, është duke u organizuar për ta promovuar më tej bashkëpunimin rajonal pas Konferencës së suksesshme të Drejtuesve të Policive që u mbajt në Shkup (9 dhe 10 shtator 2016).

Qëllimi i kësaj konference është që përfaqësuesit e lartë të policive nga rajoni të mblidhen së bashku për t'i shqyrtuar kërcënimet dhe rreziqet strategjike që i paraqet krimi i organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmi, dhe se si mund të ndikojë kjo në paqen dhe stabilitetin rajonal. Përveç kësaj, konferenca synon t'i nxjerrë në pah mundësitë dhe përfitimet të cilat i ofron rritja e bashkëpunimit rajonal.

Në Konferencë do të marrin pjesë drejtorët e Përgjithshëm të Policisë nga Sllovenia, Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Shqipëria dhe Kosovës të shoqëruar nga Drejtorët e tyre të Hetimeve.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm Rexha tha "Jam shumë krenar që jam në gjendje të jem nikoqir i kësaj ngjarje të rëndësishme këtu në Prishtinë. Shpresoj që konferenca do të sjellë përfundime praktike në të ardhmen, të cilat do të na mundësojë që të punojmë në bashkëpunim më të ngushtë me partnerët tanë rajonalë për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë".

"Terrorizmi dhe krimi i organizuar ndërkombëtarë janë dy nga kërcënimet kryesore globale që i prekin të gjitha rajonet e botës dhe për nga natyra e tyre nuk njohin kufij. Sulmet terroriste të kohëve të fundit në Evropë, të cilat kanë shkaktuar numër të madh të viktimave dhe dëmeve materiale, janë tregues të qartë se ky fenomen duhet të trajtohet globalisht me anë të bashkëpunimit ndërkufitar/bashkëpunimit kufitar. Kjo konferencë synon ta rrisë dhe forcojë më tej bashkëpunimin e agjencive policore të rajonit në përpjekjet e tyre për t'i parandaluar këto mizori si në vendet e tyre ashtu edhe jashtë tyre", thuhet në njoftim.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i mbështet fuqishëm agjencitë policore të rajonit në qasjen e tyre për të nxitur, zhvilluar më tej dhe për ta rritur bashkëpunimin e tyre për sigurinë dhe prosperitetin e qytetarëve të tyre.

"Misioni EULEX inkurajon fuqishëm që konferencat si kjo të mbahen në baza të rregullta. Ne të gjithë e dimë që kërcënimet ndërkombëtare si krimi i organizuar dhe terrorizmi ndërkombëtar nuk njohin kufij. Bashkëpunimi i fortë rajonal midis të gjitha agjencive rajonale, përfshirë edhe ato që kanë qenë të ftuara por që nuk janë të pranishëm në këtë konferencë, është pjesë shumë e rëndësishme për parandalimin e kriminalitetit të gjitha formave të tij, si dhe është i rëndësishëm për t'i sjellë kryerësit e këtyre veprave përpara drejtësisë", tha Martin Cunningham, shefi i Sektorit për Fuqizim i EULEX-it.