Kosovë

Kosovë

OEAK: Instituctionet të jenë më aktive në aspektin e sigurisë kibernetike

Publikuar më 12 Janar 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Siguria kibernetike në Kosovë është fushë relativisht e re e cila duhet të gjejë trajtim të shtuar gjatë periudhës në vijim, veçanërisht në aspekt të informimit të bizneseve për rëndësinë që të investojnë në këtë fushë gjatë afarizmit të tyre.

Kjo u tha sot në tryezën e mbajtur nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila u organizua në kuadër të Projektit për Themelimin e Njohurive mbi Bashkimin Evropian të mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), njofton kumtesa nga OEAK, trasnemton Koha.net.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane theksoi se rritja e ekonomisë digjitale në vend përpos të mirave të shumta që i sjell vendit në zhvillimit ekonomik, me veti sjell edhe një sërë rreziqesh në aspekt të sulmeve kibernetike, qoftë kjo në nivel shtetëror apo edhe tek bizneset. Prandaj, është me rëndësi që të shtohen investimet dhe t'i kushtohet rëndësi më e veçantë sigurisë kibernetike. Ai shtoi se Oda Amerikane do të vazhdojë të trajtojë tema të tilla gjatë periudhës në vijim edhe me qëllim që bizneset të informohen dhe vetëdijesohen për rëndësinë që investimi në sistemet e sigurisë kibernetike ka për zhvillimin afatgjatë të ndërmarrjeve.

Agim Bekaj, përfaqësues i Microsoft për Kosovë, tha se Kosova është një ndër vendet më të zhvilluara në Evropë në aspekt të shkallës së penetrimit të internetit. Përderisa kjo ka efekte shumë pozitive në shoqëri, në anën tjetër kjo edhe e shton rrezikun që individët, bizneset por edhe institucionet shtetërore të jenë më të cenueshme nga krimet kibernetike.

Në vazhdim, pjesëmarrësit në tryezë patën rastin të shpalosin përvojat dhe njohuritë e tyre mbi këtë fushë, duke u dakorduar se përkundër progresit të shënuar në aspekte të caktuara, ende ka hapësirë për përmirësime të mëtejme.