Kosovë

Kosovë

Pacolli thekson prioritet fokusimin në diplomacinë ekonomike

Publikuar më 13 Shtator 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviqin.

Ambasadorja Kapitanoviq i ka përcjellë kryediplomatit Pacolli urimet e Qeverisë kroate me rastin e zgjedhjes dhe pranimit të detyrës së re, thuhet në njoftimin për media.

Në vijim të këtij takimi, ambasadorja kroate ka rikonfirmuar vazhdimin e përkrahjes së fuqishme të shtetit të saj sa i përket forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimit të proceseve të integrimit euroatlantik, si dhe anëtarësimit në organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ministri Pacolli ka falënderuar ambasadoren Kapitanoviq për mbështetjen konsistente të shtetit dhe popullit kroat ndaj proceseve nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon vendi ynë dhe më pas e ka njoftuar me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, duke filluar nga përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët, shtimin e përpjekjeve dhe angazhimeve diplomatike për rritjen e numrit të njohjeve për shtetësinë e Kosovës si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fokusimi më i madh në diplomacinë ekonomike.

Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur zotimin dhe vullnetin e dyanshëm dhe janë pajtuar për ruajtjen, intensifikimin dhe hapjen e urave të reja të bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe dy popujve.